Nëna rrëfen historinë e dhimbshme pas 36 vitesh: Ç’ndodhi në Maternitetin e...

Nëna rrëfen historinë e dhimbshme pas 36 vitesh: Ç’ndodhi në Maternitetin e Vlorës, ime bijë është gjallë!

552
0

Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24”, u rrëfye një nënë nga Vlora, e cila prej 36 vitesh mban në shpirtin e saj dilemën se vajza që solli në jetë në vitin 1983 është ende gjallë. Mirjana Myrtaj sot rrëfeu ngjarjen e hidhur, që e mundon prej kaq vitesh. Ishte viti 1983 kur ajo në 14 shtator solli në jetë vajzën.

Gruaja rrëfen se ka pasur një shtatzëni normale dhe pa probleme. Edhe procesi i lindjes ka shkuar normalisht. Kur fëmija doli në jetë, sipas gruas, nga të dhënat që ajo mori asokohe nga bluzat e bardha, ishte në peshë normale dhe gëzonte shëndet të plotë. Tre ditë pas lindjes zonja tregon se u njoftua nga mjekja se fëmija po humbet peshë, ndaj duhej të vendosej në inkubator.

 

 

 

Pas këtij vendimi, Mirjana rrëfen se nuk e kanë lejuar më që ta shohë fëmijën e saj dhe as ta ushqejë me gji. E vetmja mënyrë që kjo nënë kishte për ta parë ishte mbrëmja, ku ajo rrëfen se e shihte në fshehtësi e ndihmuar nga mamitë e maternitetit. Por një javë më pas gruaja do të merrte lajmin e hidhur, fëmija sipas mjekëve kishte ndërruar jetë.

 

“Shkova prapë të interesohesha, e kam parë 7 ditë rresht, nuk rrija dot pa e parë dhe shkoja te dhoma ku nënat e tjera u jepnin gjoks fëmijëve me shpresën se do ma jepnin. Një infermiere mu afrua dhe më tha “me ty do flasë doktori”. Ai mu afrua dhe më tha “Zonja juve ju ndërroi jetë fëmija”. Nuk kisha forcë të pyesja dhe të kërkoja shpjegime. Në darkë e kisha parë, në mëngjes nuk e gjeta më”, tregon gruaja.

 

Dhimbja për familjen ishte e madhe, asokohe gruaja rrëfen se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk morën asnjë shpjegim rreth situatës, ajo madje sot nuk ka asnjë të dhënë, as kartelën e lindjes dhe as atë të vdekjes, ku shkruhet edhe arsyeja e ndarjes nga jeta të foshnjës. Nisur nga kjo dilemë, gruaja vjen sot nga Italia, ku jeton prej vitesh për të bërë një hap, që do ta çojë drejt zbardhjes së kësaj dileme. Lidhur me këtë situatë emisioni “Me Zemër të Hapur” i është drejtuar zyrtarisht Maternitetit të Vlorës, për të siguruar kartelën e lindjes me të dhënat e fëmijës, si dhe atë të ndarjes nga jeta. Dokumente të rëndësishme, të cilat janë edhe një pikënisje e fortë për të zbuluar të vërtetën. Përgjigjja që emisioni mori nga Materniteti i Vlorës është se ka të dhëna për këtë ngjarje dhe se duhet autorizimi i gruas për të zbardhur më tej ngjarjen.

 

Rrëfimi i plotë i gruas:

Jetonim në një fshat në Vlorë, arrita në maternitet, lindja ishte normale, edhe shtatzënia ishte shumë normale, asnjë lloj shqetësimi. Nuk isha e gëzuar për shtatzëninë e dytë, sepse më dhimbsej djali, i cili donte gji dhe s’kisha mundësi më. Kur erdhi djali në jetë u gëzuam të gjithë. Në fshat nuk kishte vizita dhe s’kisha bërë ndonjë analizë, por kur më filluan dhimbjet, më çuan në Spitalin e Vlorës natën vonë, më çuan direkt në sallën e lindjes, më kujtohet që kemi qenë 3 gra, kemi lindur njëkohësisht, ishte lindje normale, dëgjova të qarat, u gëzova që ishte vajzë, ma treguan fëmijën e sopalindur, pesha ishte normale dhe s’kishte asgjë për t’u shqetësuar.

 

Kur shkuam te dhomat, mua s’ma sollën fëmijën në dhomë, emra të infermierëve dhe mamive nuk mbaj mend, dhe si pyesja dot, sepse isha e përndjekur politike dhe nuk kisha kurajon për të pyetur e për të kërkuar sqarime.

 

 

U ngrita, dola dhe pyeta për fëmijën, shkova te dhoma e fëmijëve dhe i dhashë gjoks fëmijës për 3 ditë rresht. Ditën tjetër më thanë “s’ke për t’i dhënë më gji, sepse ka rënë nga pesha dhe do ta fusim në inkubator”.

 

Isha shumë e lumtur, ma hoqën qumështin me pompë dhe më thanë që do i japim ne gji. Për të qenë të sigurt do e çojmë në inkubator më thanë. Vinin më merrnin qumështin, ndërkohë më sillnin dhe një fëmijë tjetër t’i jepja gji se më thanë që e kishte nënën të sëmurë.

 

Në fakt nuk pashë asnjë nënë të sëmurë në spital ato ditë. Mua më është ngjallur dyshimi kur kam parë rastet e zgjidhura në këtë emision. Gjithë jetën e kam menduar e kujtuar atë fëmijë. Unë kam plot jam e lumtur, por boshllëkun e atij fëmije nuk e mbush dot askush.

 

Në maternitet nuk mund të hynte njeri nga familjarët. Bashkëshorti im ishte i pari në familjen e tij që ishte i martuar dhe të gjithë ishin të gëzuar me ardhjen në jetë të fëmijëve tanë. kur u ktheva në shtëpi isha komplet e shkatërruar dhe e hidhëruar, por në shtëpi ishte djali ai që më gëzonte. Ai më ka bërë dhe gjyshe.

 

Në inkubator nuk mund të hyjë njeri më tha infermierja. Unë shkoja ju lutesha punonjësve që të më linin ta shihja tek inkubatori, më kanë thënë fjalë të mira që vajza dukej mirë me shëndet.

Shkova prapë të interesohesha, e kam parë 7 ditë rresht, nuk rrija dot pa e parë dhe shkoja te dhoma ku nënat e tjera u jepnin gjoks fëmijëve me shpresën se do ma jepnin. Një infermiere mu afrua dhe më tha “me ty do flasë doktori”. Ai mu afrua dhe më tha “Zonja juve ju ndërroi jetë fëmija”. Nuk kisha forcë të pyesja dhe të kërkoja shpjegime. Në darkë e kisha parë, në mëngjes nuk e gjeta më.

Doktori s’më dha asnjë shpjegim. U ktheva në dhomë, qava, isha vetëm. Nënat që kisha në dhomë më thonin “mos u mërzit se ke fëmijë tjetër”. Dola po atë ditë nga spitali. Atë ditë rastësisht erdhi vjehrri për të më parë me shpresën se do të dilja. e vetmja gjë që i thanë dhe atij ishte “Më vjen keq por fëmija ndërroi jetë”.

 

Nuk kam asnjë dokument. Nuk kam bërë asnjë kërkesë për të marrë të dhënat. Nuk më kanë dhënë as akt lindje, asgjë. Dyshime që të ishte e gjallë nuk kam pasur më parë se nuk besoja se bëheshin gjërat të tilla në atë kohë. E gjithë familja më mbështet, duam të jemi të sigurt dhe të gjejmë diçka konkrete.