– Pellgu i Florës –
Këto tërmete thuajse 4 – 5 ballësh, provokohen nga makineri të rënda që godasin truallin në sheshet e ndërtimit ritmikisht, për të hapur gropa të thella për plintat në themelet e shumëkatsheve që tanimë ndërtohen ngjitur me banesat tona, të ashtuquajturave pallatet e kohës së ENVER HOXHËS. Këto ndërtime të viteve ’60 plus të gjithave, i rezistuan edhe tërmetit të fundit të 26 nëntorit, por jo tërësisht e pa probleme, dëmtime këto, të cilat nuk denjoi askush nga pushteti lokal, ti konstatojë e monitorojë për të parandaluar ndonjë inondatë tjetër natyrore!
Në ditët që jetojmë e papërfytyrueshmja dhe e paimagjinueshmja e pak kohëve më parë, tanimë është reale, një realitet tejet i papërtypshëm dhe mjaft i hidhur!
Një jetë këtu, jetojmë prej dekadash të tëra në Tiranë, madje thuajse në qëndër, në kërthizë të saj! Por të tillë tmerr e të tillë ankth, të përjetuar çdo ditë, çdo orë e minutë, më përpara nuk e kishim përjetuar!
Vetëm në disa qindra metra katrorë në mes të Tiranës janë hapur disa sheshe ndërtimi. Pa llogaritur këtu atmosferën e ndotur, pluhurat, terrorin e zhurmave shurdhuese, dëmin akustik, problemi i ri i sapokrijuar është te dëmtimi i banesave tona, nga tërmetet e njëpasnjëshme që shkaktohen e stimulohen në mënyrë ritmike nga këto makineri themelgërmuese!
Kush mban përgjegjësi për këto dëme të pallogaritëshme që po na shkaktohen ne banorëve të pellgut mbrapa Bar – kafene “Florës” nga lëkundjet e tërmeteve të provokuara?!
E pyes Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit zotin ERION VELIAJ, që firmos lejet e ndërtimeve: Cila është diviza e re e ndërtimeve shumëkatëshe tani në Tiranë?! Ajo që “S’na plas se çfar bëhet, prishet apo dëmtohet rreth e qark, mbrapa kurrizit e bythës tonë, mjafton që me çdo kosto e mënyrë të ndërtohet, kjo është?!
Veç gërmimeve e raprezaljeve të pakontrolluara të themeleve të kateve të para në pallatet tona, që ende vazhdojnë të bëhen, për ti adaptuar për dyqane, tanimë duhet i japim fund sigurisë tonë me këtë seri tërmetesh të provokuara?! Le të shkojmë për lesh e për “dhjamë qeni” të gjithë ne qytetarët e ndershëm, amortizatorët e të gjitha ngjyrave e sistemeve politike, ne taksapaguesit e regullt që zbatuam e zbatojmë korrektësisht ligjet e shtetit! Këtë dëshironi ju zoti Veliaj?!
Por kini mëndjen e bëni kujdes, se dardha e ka bishtin prapa! Ne jemi në linjën tonë, në të drejtën për të jetuar paqësisht, pa i rënë njeriut në qafë! Por nëse nuk na siguroni në jetën tonë të ndershme, nëse vazhdohet në rrënimin e banesave tona, me këto lloj mënyrash ndërtimi, nëse pësojmë ndonjë lloj tragjedie të provokuar, gjej vënd ku të fshihesh pastaj!