Aktualitet

Në kufi me Kinën por asnjë vdekje, çfarë qëndron pas suksesit të Vietnamit

By admin

April 13, 2020

Çfarë qëndron pas suksesit të Vietnamit? Me asnjë vdekje të raportuar dhe disa qindra raste të konfirmuara, masat e ndërmarra nga Vietnami kundrejt pandemisë duket se po funksionojnë.

Pavarësisht se gjendet në kufi me Kinën, Vietnami, nëpermjet masave të marra shpejt, testimit të gjerë, karantinimit dhe bashkimit shoqëror, deri më tani ka shmangur një situatë si ajo në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Statistikat zyrtare tregojnë se aktualisht ka më shumë se 75,000 njerëz në karantinë ose izolim. Vendi deri më tani ka kryer më shumë se 121,000 teste, nga të cilat janë konfirmuar pozitivë, vetëm 260 raste.

Kidong Park, përfaqësuesi i OBSH-së në Vietnam, beson se reagimi i menjëhershëm i vendit ndaj krizës, ka luajtur rol kryesor.

“Vietnami iu përgjigj shpërthimit shpejt dhe në mënyrë efektive. Masat e para janë marrë në fillim të janarit – menjëherë pasi rastet në Kinë filluan të raportohen, “thotë Park.

Vendi shpejt themeloi një Komitet Drejtues Kombëtar për Parandalimin dhe Kontrollin e Covid-19 nën kujdesin e zv.kryeministrit, i cili, menjëherë zbatoi një plan kombëtar me një numër masash, shton Park.

Pavarësisht se kishte një numër të ulët të rasteve të konfirmuara, Vietnami hyri në izolim kombëtar në 1 Prill, një masë shumë më e shpejtë dhe më efikase se në Britani ose Itali. Kudo tjetër, qeveritë zbatuan masa e izolime për të përballuar pandeminë ekzistuese. Vietnami e bëri këtë për të parandaluar një krizë kombëtare.

Shkollat ​​Vietnameze janë mbyllur që në janar, dhe karantinimi masiv filloi në 16 Mars. Që në këtë periudhë, dhjetëra njerëz që erdhën nga shtetet me rrezik të lartë si Kina e Italia, duhet të bënin karantinë të detyrueshme në kampe të stilit ushtarak.

Pjesa më e madhe e fluturimeve, trenave dhe autobusëve të brendshëm janë ndaluar, dhe kushdo që është larguar nga Hanoi, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Vietnam, është karantinuar pas mbërritjes në provinca të tjera.

Vietnami më parë është përballur më viruse që dëmtojnë sistemin respirator (SARS në vitin 2003), ndaj doktorët kishin eksperiencë në trajtimin e pacientëve.

Disa prej masave të marra nga qeveria vietnameze kanë qenë të rënda. Zyrtarët në qytetin Ho Chi Minh, kanë paralajmëruar se ata që nuk mbajnë maskë në fytyrë dhe infektojnë një person tjetër me sëmundje të rrezikshme, mund të përballen deri në 12 vjet burg. Më 10 mars, një burrë Vietnamez u dënua me 9 muaj burg, pasi refuzonte të përdorte maskë./Opinion.al