Lajme

Në Kosovë hyjnë sot në fuqi masat e reja anti-COVID/ Certifikatë vaksinimi për t’u futur në autobusë, restorante e qendra tregtare

By vizional

December 06, 2021

Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja të caktuara nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Lidhur me masat e reja Qeveria e Kosovës ka njoftuar të dielën në një konferencë për media, ku kryeministri, Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë bërë të ditura kufizimet të cilat hyjnë në fuqi nga sot.

I pari i ekzekutivit të shtetit ka thënë se rreziku i lartë i shpërndarjes së COVID-19, i detyron që ta rrisin vigjilencën, deri sa ka përmendur edhe shkallën e ultë të vaksinimit, si dhe variantin Omicron, që është përhapur në 34 vende të botës.

Në kuadër të masave, të gjithë personat mbi 12 vjeç do të duhet që t’i ofrojnë dëshmitë e vaksinimit me dy doza për udhëtim me mjetet e transportit publik dhe atij privat, si dhe për hyrje në qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka treguar masat e reja kundër COVID-19, duke thënë se këto masa janë marrë pas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe gjendjes epidemiologjike në botë.

“Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë krahas saj do të kërkohet testi PCR- negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19. Nga 3 janari i vitit 2022 për hyrje të Republikës së Kosovës do të vlejë dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe qasje e qytetarëve në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit. Tash që ka filluar vaksinimi i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura përmes kategorive do të lirohen personat nen 12 vjeç, personat me dëshmi mjekësorë që kanë kundër indikacione shkencore të vërtetuara për mos vaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testi PCR- negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 48 orë. Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe ekonomisë, punonjësve në institucione publike dhe private, udhëtarët që shpërblehen me transportim publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë do t’u kërkohet dëshmitë vaksinimi i plotë apo i pjesshëm, mirëpo bashkë me të vërtetimi e shërimit apo rezultatin e PCR”, ka thënë ai.

 

Gjithashtu, që nga 3 janari dëshmitë e vaksinimit të plotë do t’u kërkohen të gjithë udhëtarëve që hyrje në Republikën e Kosovës.

 

Mbajtja e maskës vazhdon të jetë e detyrueshme. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00.

 

Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30. Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me masat kundër pandeminë COVID-19.