Në 84-vjetorin e lindjes shkrimtari Rexhep Qosja merr dhuratën e veçantë, del...

Në 84-vjetorin e lindjes shkrimtari Rexhep Qosja merr dhuratën e veçantë, del në treg romani i ri “Të fshehtat e treguara”

402
0

Sot më 25 qershor, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Rexhep Qosja feston 84-vjetorin e lindjes. E në këtë ditë kaq të veçantë për të, ai ka marrë edhe dhuratën më të bukur. Bëhet fjalë për daljen në treg të romanit të tij më të ri, me titullin “Të fshehtat e treguara”. Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Qifllak të Rahovecit, dhe sot ai njihet si një nga shkrimtarët dhe akademikët shqiptarë më të vlerësuar, gjithashtu edhe si një anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kujtojmë se shkrimtari 84-vjeçar është autor i mbi 50 librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Mes shumë urimesh për ditëlindjen, bie në sy edhe urimi i publicistit Fatmir Toci për akademikun Qosja.

 

Postimi ne Facebook.

“Ai është dhe mbetet njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, polemistit dhe intelektualit atdhetar e qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.”– ka shkruar Toci përmes një postimi në Facebook.