Në 11 tetor Venecia thotë fjalën e fundit për Metën

Në 11 tetor Venecia thotë fjalën e fundit për Metën

339
0

Në séancën plenare të Komisionit, mazhoranca do të përfaqësohet nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetari i komisionit hetimior Ulsi Manja.

Ndërkaq nga Presidenca do të jenë drejtori i kabinetit Arben Cici, këshilltari ligjor Bledar Dervishaj dhe këshilltarja politike Ilda Zhulali.

Komisioni i Venecias vlerëson se Presidenti Ilir Meta ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese ndërsa vendosi të anullojë 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve vendore. Në draft opinionin e tij, një kopje të të cilit e ka siguruar të plotë Zëri i Amerikës, Komisioni megjithatë vëren se sipas tij, nuk janë kushtet për të vërtetuar një shkelje serioze që do të çonte në shkarkimin e tij.

Në përfundimet e tyre, pasi kanë analizuar me detaje të gjithë rastin, ekspertët e Komisionit theksojnë se “në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Por sipas tyre “edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet”.

Në draft opinionin e Komisionit “anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata të jashtëzakonshme nuk u ndoqën në këtë rast. Nuk pati as një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc”.

Në dokument theksohet edhe se “anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut… Mungesa e një baze ligjore dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.

Presidenti Meta, duke mbrojtur aktin e tij, ka vlerësuar se përsa kohë i njihet e drejta për të caktuar datën e zgjedhjeve, atij i lind automatikisht dhe e drejta për tt’i ndryshuar apo anulluar. Sipas dokumentit të hartuar nga ekspertët, kompetenca për të caktuar datën e zgjedhjeve i është njohur Presidentit “për shkak të pozitës neutrale që Kushtetuta shqiptare i atribon Presidentit të Republikës si “Kreu i Shtetit” dhe si organi “që përfaqëson unitetin e njerëzve” (neni 86).”. Por, siç theksohet më tej “këto kualifikime nuk do të thonë që autoriteti i Presidentit është mbi politikën. Ato do të thonë se Presidenti duhet të mbetet jashtë politikës partiake, me qëllim që të sigurojë mes të tjerash një konkurrencë të ndershme midis partive dhe funksionimin e rregullt të formës së qeverisë dhe veprimtarive të Shtetit tjetër.

Në sistemet parlamentare – vënë në dukje ekspertët – statusi më i lartë midis autoriteteve publike i jepet Presidentit, jo sepse ai ose ajo është autoriteti më i fuqishëm, por sepse objektivat që ai duhet të ndjekë janë konceptuar të tilla që të qëndrojë përtej atyre të një politike partiake. Nga ana tjetër, pikërisht pse duhet të ndjekë këto objektiva, kushtetutat i besojnë Presidentit autorizime të përcaktuara posaçërisht, thjesht zyrtare ose gjithashtu thelbësore. Nga kjo rrjedh se, në ushtrimin e kompetencave të tilla, Presidenti jo vetëm që duhet të sillet në mënyrë të paanshme, por gjithashtu duhet të shihet të sillet në këtë mënyrë”.