Aktualitet

Ndarja nga jeta e mjekut Drini Dobi, Rama fjalë prekëse: Humbja e tij krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë

By vizional

December 10, 2020

Kryeministri Edi Rama jep një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mjekut të njohur neurolog të QSUT, Drini Dobi, i cili ka humbur jetën pasi ishte i infektuar me Covid-19.

Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se mjekun nuk e njihte personalisht, por që kishte dëgjuar për të fjalët më të mira.

“Është e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë,” shkruan Rama.

 

Postimi i plotë:

 

MIRËMËNGJES

 

Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.

 

Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij

 

Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë