Ndahet nga jeta poeti i njohur Lefter Çipa, i biri: Lamtumirë!

Ndahet nga jeta poeti i njohur Lefter Çipa, i biri: Lamtumirë!

407
0

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh poeti i njohur Lefter Çipa.

Lajmin e bën të ditur djali i tij Aleksandër Çipa, i cili zgjedh që ta përshëndesë të atin me vetëm një fjalë: Lamtumirë! Poeti prej disa kohësh kishte shfaqur probleme me shëndetin, dhe duket se pesha e viteve dhe mundimi i zgjatur i sëmundjes, kanë bërë që ai të shuhet në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Lefter Çipa (14.02.1942) ka lindur në Pilur (Himarë). Është një ndër poetët dhe autorët më origjinal të folklorit shqiptar në zonën e Bregdetit të Himarës dhe krahinën e Labërisë. Autor i rreth 20 librave me poezi. Ndër librat më të qarkulluar me poezi të këtij autori janë: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, “Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit” etj. Konsiderohet, si “Princi i sotëm” i Polifonisë Shqiptare duke qenë autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit.

Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë gojore popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 tekste këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike, si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet), grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.

Prej vitit 1964 është bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit e më pas (1979) i Institutit të Kulturës Popullore. Në arkivin e shkruar të IKP ndodhen qindra faqe me materiale të mbledhura nga ky autor. Veç kësaj, ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspedita etno-folklorike të zhvilluara në krahinën e Labërisë dhe sidomos në fshatrat e Bregut të Himarës. Është autor i një filmi dokumentar me përmbajtje etno-folklorike.

Lefter Çipa konsiderohet, si autor i shquar i një numri këngësh me përmbajtje dhe nivel të lartë artistik e muzikor, si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “Në sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Ky autor ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në 7 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qenë i lauruar në çdo Festival Kombëtar. Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat ku ajo shtrihet.

Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kulturologjik kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën.

Lefter Çipa mbahet mend si bashkorganizatori nismëtar i Trios së famshme vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen një pjesë e mirë e këngëtarëve dhe kompozitorëve shqiptarë. Disa prej këngëtarëve tanë të mirënjohur, kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të përveç të tjerash edhe disa nga poezitë dhe lirikat e këtij autori.