NATO: Turqia të mos përdorë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore

NATO: Turqia të mos përdorë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore

328
0

NATO ka shprehur shqetësimin lidhur me raportet se Turqia, anëtare e saj, ka përdorur sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400 për herë të parë gjatë një manovre ushtarake.

“Sistemi mund të paraqesë një rrezik për avionët aleatë dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet midis aleatëve të NATO’s”, tha një zëdhënëse e saj.

“Ky është një vendim i ndërmarrë nga vetë Turqia, por S-400 nuk mund të integrohet në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO’s. Është e rëndësishme që Turqia të vazhdojë të punojë me aleatët për të gjetur zgjidhje alternative”, theksoi ajo.

Media turke kishte raportuar më parë se qeveria në Ankara testoi raketat tokë-ajër për herë të parë në kushte operacionale pranë qytetit Sinop të Detit të Zi, të premten.

“Çdo provë e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Turqia, nëse konfirmohet, do të ishte për të ardhur keq”, tha zëdhënësja e NATO’s.

Komente të ngjashme mbi këtë temë ishin bërë më parë edhe në Uashington.

SHBA tashmë kanë përjashtuar partnerin e tyre të NATO’s, Turqinë, nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së sistemit raketor rus.

Turqia, nga ana tjetër, argumenton se i duhet sistemi i saj i mbrojtjes raketore kundër kërcënimeve nga Siria fqinje, një vend i prekur nga lufta civile.