Pamje irrituese nga SHBA. Një reporter i Deutsche Welles që raporton nga Mineapolis tronditet nga një e shtënë me armë. Donte ta pengonte policia në punën e tij? Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkon shpjegime.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka kërkuar zbardhjen e plotë të akteve të dhunës ndaj gazetarëve, gjatë protestave masive në SHBA. Shtetet demokratike ligjore duhet të vendosin “standardet më të larta” në mbrojtjen e lirisë së shtypit, theksoi Maas. Çdo lloj ushtrimi i dhunës duhet të ndiqet me konsekuencë dhe të zbardhet, me qëllim që gazetaret dhe gazetarët të mbrohen në mënyrë efektive në punën e tyre, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman.
Kontaktim i autoriteteve të SHBA
Heiko Maas deklaroi se “ne duam të kontaktojmë autoritetet amerikane lidhur me incidentet si ai me Deutsche Wellen, për të cilin kemi dijeni, për të mësuar më shumë mbi rrethanat.”
Gazetari i Deutsche Welles, Stefan Simons që punon nga Mineapolis u pengua dy herë në punën e tij nga policia. Të dielën (31.05) policë të armatosur erdhën drejt tij për ta detyruar të ndalte punën. Pas një këmbimi të ashpër verbal, Simons dhe grupi i xhirimit ndërruan vendin e raportimit. Ndërkohë që natën e së dielës, Simons tronditet nga një e shtënë policie pak para një raportimi live. “Pesë minuta para se të fillonim një lidhje të drejtpërdrejtë, dëgjuam si na fluturoi diçka pranë veshit. Ishte një e shtënë”, tha ai.
Në materialin me video të kameramanit të Deutsche Welles shihet si një polic menjëherë pas zhurmës së të shtënës, ul diçka nga dora, që të krijon përshtypjen e uljes së një arme pas të shtënës.Edhe gazetarë të tjerë janë penguar apo ndaluar nga policia në punën e tyre këto ditë të protestave masive në SHBA. Një ekip i agjencisë Reuters me gjasë është plagosur nga të shtënat.
Protestat kundër dhunës policore dhe racizmit në SHBA shpërthyen pas vdekjes së një afroamerikani, Georg Floyd. 46 vjeçari ndërroi jetë të hënën e shkuar pas një ndërhyrjeje të policisë në Mineapolis. Një polic i kishte mbajtur me minuta gjurin në qafë viktimët. Floyd disa herë u lut për ndihmë, para se të humbte vetëdijen. Krahas protestave paqësore në SHBA ka pasur mjaft trazira në një numër qytetesh.