Mustafaj: ‘OSBE duhet të ndërpriste misionin pas dekretit të Metës’

Mustafaj: ‘OSBE duhet të ndërpriste misionin pas dekretit të Metës’

421
0

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, nga studio e News 24 e ka cilësuar si tejet shqetësuese situatën politike që po kalon vendi.

Mustafaj tha se tensionet dhe përplasjet po shtrihen në të gjitha bashkitë e vendit, ku po kërkohet lirimi i ambienteve, të kthyera në KZAZ, pas zhdekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta.

Në këto kushte, politani i njohur komentoi edhe deklaratën e OSBE lidhur me përplasjet në disa KZAZ. Ai shton se përfaqësuesit e ODIHR në vendin tonë duhet të kishin ndërprerë misionin.

“Është shumë shqetësuese situata. Nuk ka filluar sot, por ka disa ditë. Problemi nuk është vetëm te bashkitë e drejtuara nga demokratët, por problematike situata është edhe në bashki të tjera si në Skrapar apo dhe Berat. Këto janë paralajmërime të qarta për përballje në ditët në vazhdim deri në datën 30, por edhe pas datës 30.

OSBE/ODIHR ka të drejtë të tërheqë vëmendjen në bazë të asaj që ka monitoruar. Por zgjedhjet në Shqipëri zbatohen me dekretim të Presidentit. Në momentin kur Presidenti bën një dekret të dytë, anulon zgjedhjet, OSBE/ODIHR bëhet i panevojshëm. Përfaqësuesit e ODIHR duhet të kishin ndërprerë misionin të nesërmen e dekretit të Presidentit”, u shpreh Mustafaj.