Mosmarrëveshjet Turqi-NATO, Erdogan e Putin takim në Moskë

Mosmarrëveshjet Turqi-NATO, Erdogan e Putin takim në Moskë

413
0

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pritet të takohet sot në Moske me homologun e tij rus Vladimir Putin. Vizita e tij në këtë vend vjen vetëm pak ditë pas mosmarrëveshjeve të Washingtonit me Ankaranë në lidhje me një plan të mundshëm ushtarak të Turqisë në Siri dhe vendimit për të blerë sistemin antiraketor nga Rusia S-400. Turqia është vend anëtar i Nato-s dhe marrëdhëniet e këtij vendi me Rusinë kanë qenë historikisht të tensionuara, por me administratën e presidentit Erdogan, raportet mes Moskës dhe Ankarasë janë përmirësuar dhe forcuar. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Nato-s e kanë kritikuar Turqine për vendimin e saj që të vendosë të mbrohet me sistem antiraketor Rus që nuk është në përputhje me sistemet e aleancës veri atlantike. Washngtoni ka kërkuar nga Ankaraja që ta anulojë marrëveshjen për blerjen e sistemit antiraketor rus si dhe ka pezulluar pjesëmarrjen e Turqisë në programin e saj F-35.

 

Nënpresidenti Amerikan Mike Pence deklaroi më 3 Prill se Turqia duhet të zgjedhë nëse dëshiron të mbetet një partner kryesor i Nato-s ose të rrezikojë sigurine e këtij partneriteti duke ndërmarrë vendime të pamatura të cilat rrezikojnë aleancën. Departamenti Amerikan i shtetit deklaroi javën e kaluar se Ankaraja mund të përballet me sanksionet amerikane nëse vazhdon më tej me planet e blerjes së sistemit rus. Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu i cili ndodhej në Washington DC për 70 vjetorin e themelimit të Nato-s deklaroi për televizionet amerikane se ishte “e papranueshme” që Uashingtoni të refuzonte të shiste armë në Turqi dhe gjithashtu të insistonte që Ankaraja të mos blinte një sistem mbrojtës nga një vend tjetër. Cavusoglu, i cili ka thënë se “marrëveshja S-400 është një marrëveshje e përfunduar” nga e cila Ankaraja nuk do të tërhiqet, sugjeroi të formohej një grup pune ndërmjet Pentagonit dhe Ankarasë për të adresuar mosmarrëveshjen. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo javën e kaluar paralajmëroi gjithashtu ministrin turk Cavusoglu për “pasoja potencialisht shkatërruese” nëse Turqia do të niste një ofensivë kundër forcave kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Siri.