“Mos më merr në qafë”, fjalët e fundit që gjyqtarja i tha...

“Mos më merr në qafë”, fjalët e fundit që gjyqtarja i tha vrasësit

324
0

Vrasja e gjyqtares, Fildez Hafizi, 38-vjeçe, nënë e dy fëmijëve, dy ditë më parë tronditi të gjithë vendin.

Ajo u qëllua disa herë nga ish-bashkëshorti, Fadil Kasemi i cili nuk pranonte divorcin, ndërsa e kishte kërcënuar me jetë duke i drejtuar armën edhe 2 vite më parë në plazhin e Golemit.

48 orë pas krimit, zbulohen të tjera detaje në lidhje me vrasjen.

53-vjeçari kishte të paktën një orë që priste ish-të shoqen të dilte nga parukeria dhe sapo e pa atë të hipte në makinë, iu afrua tek xhami.

39-vjeçarja, e frikësuar nga prezenca e tij ka tentuar të ndezë makinën e të largohej që aty, por veprimi i shpejtë i Fadil Kasemit nuk e la të ikte.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes deklaruan në polici se autori u afrua gjakftohtë.

Po sipas tyre, sapo ai nxori pistoletën, gruaja bërtiti duke i thënë: “Mos më merr në qafë”.

Autori i vuri pistoletën në kokë drejtuesit të furgonit

Sipas grupit hetimor, mësohet se Fadil Kasemi, pasi vrau ish-bashkëshorten, Fildeze Hafizi u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një furgon mallrash.

Të njëjtat burime shtojnë se 53-vjeçari i ka vënë pistoletën në kokë drejtuesit të mjetit dhe e ka urdhëruar ta çojë në periferi të Tiranës.

Në atë moment, shoferi ka lëvizur me automjetin e tij dhe sapo ka hasur patrullën e policisë, ka zbritur dhe u ka thënë bluve: “Kapeni personin që kam në makinë, mund të jetë vrasësi”.

Ndërkohë, burimet e mësipërme pohuan se kanë qenë 4 persona që kishin parë skenën e ngjarjes. Ata janë shoqëruar në polici për të dëshmuar dhe për t’u pyetur nëse ndonjëri prej tyre kishte mundur ta njihte autorin.

Gjyqtarja Fildeze Hafizi u qëllua me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve e kapi në kokë, sapo hipi në makinën e saj.