‘Mos fut hundët’, Korab Lita akuza Ruçit: Se vendos ti kush vjen...

‘Mos fut hundët’, Korab Lita akuza Ruçit: Se vendos ti kush vjen e ikën…

116
0

 

Deputeti Korab Lita ka akuzuar sot nga foltorja e Parlamentit kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin se nuk i ka pranuar kërkesën e deputetëve demokratë për anëtarësim, ndërsa me tonë të ashpra i kërkoi Ruçit të mos fusë hundët.

“Grupi parlamentar më 24 tetor vendosi të mos pranojë kërkesën e deputetëve për anëtarësim. Grupi do vazhdojë të ketë 9 anëtarë. Me 5 vota pro dhe 3 kundër është vendosur që të mos pranohet asnjë anëtar i ri për momentin në grupin parlamentar demokrat.

Si kryetar i këtij grupi jam në pritje të njoftimit përmes shkresave. I shpreh mirënjohje kolegëve deputetë që duan të na bashkohen. Sapo të kemi në dorë kërkesat e tyre do t’i shqyrtojmë të gjitha. Që nga krijimi, ka pasur si raste pranimi, si dhe deputeti Andi Përmeti që me shumicë votash e kemi rrëzuar kërkesën e tij për t’ju bashkuar grupit tonë. Asnjë deputet nuk mund t’i bashkohet grupit tonë parlamentar se do Gramoz Ruci që të mbajë kryetare Rudina Hajdarin. I bëj thirrje Ruçit që mos të fusë hundët në çështjet e grupit tonë parlament. Se vendos ai se kush ikën dhe kush vjen tek grupi jonë. Ne jemi në Kuvend për të mbështetur fuqimisht Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore. Grupi parlamentar i shpreh mbështetje Rudina Hajdarit si kryetare e komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. Duhet t’i tërheqë vëmendje se ajo është aty si përfaqësuese e opozitës parlamentare dhe jo si përfaqësuese Ad-Hoc e Gramoz Ruçit”, tha Lita.

Pas këtyre akuzave ka reaguar edhe kryeparlamentari, i cili tha se nuk merret me mosmarrëveshjet në grupin e tyre parlamentar dhe i kërkoi t’i zgjidhin vetë pa e përfshirë.

“Lidhur me katër çështjet që u ngritën zoti Lita së pari kam ndjekur dhe një konferencë shtypi dhe deklaratën e sotme dhe bëni fajtorë Kuvendin apo kryetarin e Kuvendit lidhur me problemet e mosmarrëveshjet e brendshme që ju keni ju si grup parlamentar. Për herë të dytë unë sqaroj tre gjëra, ku merr pjesë deputeti, në cilin grup është pjesë, është e drejtë ekskluzive e deputetit dhe është e drejtë ekskluzive grupit parlamentar. Me këtë punë nuk ka punë fare kryetari i Kuvendit dhe as seanca e Kuvendit, ta keni të qartë dhe skeni pse lançoni në ambjentet e Kuvendit institucionalisht ato që keni lançuar në konferencën e shtypit. Jua thashë herën e parë dhe po jua them prap, i zgjidhni vetë problemet si doni ju dhe sipas rregullave dhe rregullores që keni ju. Kush largohet nga një grup parlamentar është e drejtë ekskluzive e deputetit dhe është e drejtë e grupeve parlamentare të përjashtojnë anëtarët e grupeve parlamentare. Me këtë nuk ka punë as Kryetari i Parlamentit, as seanca e Kuvendit”, deklaroi Ruçi.