Moderatorja Bora Zemani dhe mjeku Ilvi Begolli i bashkohen nismës për mbjelljen...

Moderatorja Bora Zemani dhe mjeku Ilvi Begolli i bashkohen nismës për mbjelljen e pemëve

365
0

Veliaj: “Shumica dërrmuese e qytetit e do të bukurën dhe të mirën; ringrihemi më të fortë”

 

Dhjetori nuk është vetëm muaji i festave, por edhe një muaj i veçantë për fushatën e mbjelljes së pemëve të reja. Nismës së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan sot edhe dy personazhe të njohur, Bora Zemani dhe mjeku ortoped Ilvi Begolli, të cilët zgjodhën që për ditëlindjen e fëmijëve të mbjellin nga një pemë.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se ky është mesazhi më i mirë për të treguar se shumica dërrmuese e këtij qyteti e do të bukurën dhe refuzon dhunën.

 

“Mund të mbahemi mend si njerëz që dhunuan, prishën dhe shkatërruan qytetin, ose mund të mbahemi mend si njerëz që ndërtuan, mbollën dhe e pastruan atë. Shumica dërrmuese e këtij qyteti e do të bukurën, të pastrën, do më shumë oksigjen dhe pemë. E di që e dogjën pemën, por s’ka problem, do ta rregullojmë prapë dhe do t’i fillojmë sërish festat. Por, më e rëndësishme është që qyteti të vazhdojë jetën. Nëse dikush mundohet ta dhunojë atë për politikë, të fitojë pikë duke shkatërruar, nuk funksionon sepse shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e do këtë”, tha ai.

 

Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky është momenti kur qyteti duhet të ringrihet edhe më i fortë. “Për hir të fëmijëve tanë, pas një javë shkatërrimi e dhune, sot është momenti të ringrihemi më të fortë, për të respektuar edhe shumicën e heshtur të qytetit, që nuk djeg, nuk dhunon dhe nuk bën zhurmë, por ama ka gjithë të drejtën e kësaj bote të ketë një qytet të pastër, funksional dhe të gjelbër”, theksoi Veliaj.

 

Ai ftoi çdo familje të Tiranës që të dhurojnë pemë për qytetin. “Kush ka rrënjë në qytet, nuk e shkatërron atë. Kush ndihet pa rrënjë, i duhet të mendojë si do të lidhet me qytetin. Nuk ka rëndësi kush është kryetar bashkie, nuk ka rëndësi kush qeveris, qyteti është i përjetshëm. Tirana ka mbushur 100 vite, do të vazhdojë edhe qindra vite të tjera. Ndaj pyetja është: kur secili nga ne kishte diçka në dorë, bëri mirë apo keq? Sot kemi vendosur ta përdorim fuqinë që kemi në dorë për mirë. I falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës; ka ardhur koha të ringrihemi dhe ta harrojmë këtë vit të vështirë. Të futemi në një vit tjetër, me punë të reja, me një fushatë vaksinimi që nuk do të vonojë dhe sigurisht, me shpresa të reja për Tiranën, e cila hyn në shekullin e dytë të saj”, tha Veliaj.

 

Prezantuesja e njohur, Bora Zemani, i shprehu mirënjohjen Bashkisë së Tiranës për punët e mira në qytet. “Është diçka e vogël, por nëse secili prej nesh do të bënte kaq, një mbjellje peme, vendi do të bëhej shpejt më i bukur, më i mirë. I themi shpesh këto shprehjet tipike se shqiptarët nuk bëhen. Jo, bëhemi! Ju falenderoj juve, të gjithë çunat dhe gocat e Bashkisë së Tiranës për çdo punë të bukur që keni bërë për qytetin, por mbi të gjitha për energjinë pozitive që dhuroni në çdo gjë që bëni. Realisht na frymëzoni të gjithëve, na keni bërë që të dalim jashtë mureve të apartamenteve tona dhe më në fund ta konsiderojmë edhe qytetin si shtëpinë tonë”, tha ajo.

 

Mjeku i njohur Ilvi Begolli ftoi këdo që ka mundësi të kontribuojë për një qytet më të jetueshëm. “Të gjithë nga pak mund t’i shtojmë pemë jo vetëm parkut, por çdo pjese të qytetit, për ta bërë më të jetueshëm. Shpresoj të mos mblidhemi vetëm për ditëlindje, por edhe thjesht për të dhënë një mesazh”, tha ai.

 

Shumë qytetarë të Tiranës po zgjedhin që për raste të veçanta, si ditëlindje apo përvjetorë, të zgjedhin të mbjellin pemë në qytetin e Tiranës.