Miratohen 2 marrëveshje me BERZH dhe 1 me EBA/ Denaj: Mbështetje në...

Miratohen 2 marrëveshje me BERZH dhe 1 me EBA/ Denaj: Mbështetje në përballimin e COVID, zhvillimin ekonomik dhe turizmin

360
0

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot në seancë plenare 2 marrëveshje me BERZH-in, për zhvillimin e infrastrukturës, turizmit dhe për përballimin e situatës COVID, si dhe një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin ekonomik, të prezantuara nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

“Në kuadër të prioriteteve të Qeverisë Rama kemi negociuar një marrëveshje me BERZH-in për zhvillimin e turizmit në vend. Programi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të zgjasë deri në vitin 2025. Investimet do të jenë në Vlorë, Berat, Shkodër dhe Korçë që janë zona me potencial të madh turistik. Të katra bashkitë do të kenë larmi investimesh”, u shpreh Denaj.

Sa i takon marrëveshjes tjetër me BERZH-in, ministrja shtoi se, është në funksion të përballimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. “Marrëveshja tjetër me BERZH është për të na ndihmuar për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Synon fuqizimin e funksioneve kryesore të shëndetit publik, fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për përballimin e COVID-19”, theksoi ministrja.

Ndërsa marrëveshja e tretë, synon rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe EBA-s.

 

“Kemi ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe EBA, që synon rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. EBA ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Kjo marrëveshje synon konsolidimin e këtij bashkëpunimi në shumë fusha. Së fundmi bashkëpunimi është intensifikuar si në zhvillimin e portit të Durrës, investime në fushën e turizmit”, nënvizoi Denaj.

Këto tre marrëveshje janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

 

 

Konkretisht, u  miratuan projektligjet:

 

  1. “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

 

  1. “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri”.

 

  1. “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.