“Miqësia dhe përplasjet me Fatos Nanon”, rrëfimi i Anastas Angjelit: Porosia që...

“Miqësia dhe përplasjet me Fatos Nanon”, rrëfimi i Anastas Angjelit: Porosia që na dha Ramiz Alia në ‘90! Si reagova kur pashë kanoçen e Coca-Colas për herë të parë

516
0

Në vitin 1990, Ramiz Alia dërgon në grup ekonomistësh në disa prej vendeve të ish-Bllokut Lindor, të cilët i ishin bashkuar erës së ndryshimeve.nano + angjeliNjë ndër ta ishte edhe Anastas Angjeli, një nga emrat më në zë të ekonomisë, pedagogjisë dhe politikës shqiptare. Përmes një rrëfimi të sinqertë, Anastas Angjeli na tregon përvojën e tij të parë jashtë shtetit, tronditjen e madhe që do të pësonte kur u përball me një tjetër realitet.

Po ashtu, ai dëshmon për qëndrimin e Ramiz Alisë në atë prag ndryshimesh, si edhe për raportet me Fatos Nanon. Prej qëndrimit 45-ditor në Hungari, Poloni, Bullgari u hartua një raport, i cili iu dërgua Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos. Ky material është botuar në librin e Anastas Angjelit, “Ditari i tranzicionit ekonomik”, i papublikuar më parë.

 

Sipas autorit, ky material është nga të parët i plotë që iu vu në dispozicion Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos për transformimin e ekonomisë komuniste në ekonomi tregu, në një kohë kur ende regjimi komunist ishte në pushtet.

 

Bashkë me rrëfimin e tij për këtë vizitë, që do të ndryshonte shumë pikëpamje të tij, Gazeta “Panorama.al” do të botojë për herë të parë edhe këtë raport, që theksonte hendekun mes ekonomisë komuniste dhe asaj të tregut.

 

ANASTAS ANGJELI

 

Ramiz Alia ishte një personazh politik kompleks, me tendenca liberale, por gjithë kohën në dilemë, që buronte nga të qenët komunist, anëtar dhe udhëheqës kryesor për 50 vite i PPSH-së, nga trysnia e bashkëpunëtorëve komunistë që e rrethonin deri në fund, por që kishte kuptuar mjaft qartë se “fundi ishte afër” dhe në mënyrën e vet donte të bëhej pjesë e ndryshimit.

 

Ndryshe nuk kish pse të dërgonte një grup ekonomistësh të merrnin përvojë në Hungari, Poloni, Bullgari, që kishin më shumë se dy vjet që e kishin përmbysur regjimin komunist dhe kishin startuar reformat e ekonomisë së tregut. Ndërkaq, ndryshimet në Europën Lindore nga njëra anë dhe situata brenda vendit (ende komuniste) ia bënin të vështirë të kapërcente menjëherë “gardhin komunist”.

 

Në qershor të vitit 1990, Ramiz Alia bëri një takim me pedagogë të Fakultetit Ekonomik dhe ekonomistë – drejtues të ndërmarrjeve të mëdha(para takimit me intelektualët, që u zhvillua disa muaj më vonë). Synimi ishte të nxiste debatin se si mund të liberalizohej disi ekonomia e centralizuar dhe çfarë instrumentesh mund të përdoreshin. Kishte ndodhur vetadministrimi jugosllav dhe “Perestrojka” në Bashkimin Sovjetik.nano + caci

 

SI E GJETI PRAGTRANZICIONI SHQIPËRINË?

 

Shqipëria në periudhën e paratranzicionit konsiderohej në literaturën e pakët botërore që e përmendte, si vendi më i varfër i Europës. E vendosur në një pozicion mjaft të favorshëm gjeografik, me burime të pasura nëntokësore dhe me një klimë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe më një histori të gjatë pushtimesh nga të huajt, është vendi i fundit europian që fitoi pavarësinë në fillim të shekullit XX.

 

Për fatin e keq të radhës, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, siç dihet dhe siç u përjetua, hyri në bllokun dhe rrugën komuniste të zhvillimit. Nga kjo pikëpamje, fillimi i tranzicionit e gjeti Shqipërinë një vend me tipare të ngjashme me vendet e Bllokut Lindor, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik dhe veçanërisht me vendet komuniste, që sot njihen si vendet e Europës Juglindore.

 

fajdet

Nga protesta per fajdet

Megjithatë, Shqipëria shfaqi edhe veçori që e dallojnë atë nga vendet e tjera ish-komuniste, si vendi më pak i përgatitur nga pikëpamja ekonomike, politike, sociale e kulturore për të ndërmarrë reforma rrënjësore drejt ekonomisë së tregut. Kjo, sepse ne ishim i vetmi vend europian i bllokut komunist, që nuk kish ndërmarrë asnjë reformë ekonomike dhe politike që t’i jepte frymëmarrje demokracisë, ekonomisë dhe decentralizimit të vendimmarrjes.

 

Modeli që Shqipëria zbatoi gjatë 45 vjetëve mbështetej në zbatimin rigoroz të ideologjisë staliniane dhe praktikave centralizuese, duke aplikuar rendin shtetëror politik dhe me një politikë ekonomike të diktaturës më të egër komuniste me ekonomi autarkike. Në aspektin politik, modeli shqiptar karakterizohej nga një mungesë pothuajse e plotë e traditës demokratike dhe nga zbatimi ekstrem i parimit të luftës së klasave, me pasoja të rënda deri edhe në vitet e tranzicionit. Në aspektin ekonomik, modeli shqiptar karakterizohej nga eliminimi i të gjitha formave të pronës private nëpërmjet shtetëzimit të plotë të industrisë, tregtisë në shumicë dhe pakicë dhe të kolektivizimit ekstrem të bujqësisë, nga mbështetja e plotë në planifikim të centralizuar, sipas parimit të mbështetjes tërësisht në forcat e veta.

 

Ekonomia shqiptare e ndërtuar dhe e drejtuar me parimet e mohimit të pronës private e të tregut, e ndikuar edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm, shfaqi shenja rënieje sidomos pas vitit 1961 deri në fund të viteve ’70, dhe një përkeqësim të ndjeshëm gjatë e pas viteve ’80. Deri në fund të viteve 1970, ekonomia ndoqi të njëjtën rrugë zhvillimi me atë të disa vendeve të tjera në zhvillim, socialiste ose jo, për sa i përket shmangies së iniciativave ekonomike, rolit të forcave të tregut, konkurrencës dhe avantazheve të saj, si dhe disiplinës financiare. Kjo periudhë shoqërohet me rritje të papunësisë, me një përkeqësim të ndjeshëm të bilancit të pagesave, me shterim të rezervave valutore, me rritje të borxhit të jashtëm, me përkeqësim të eksporteve dhe krijim të mungesave të mallrave më të domosdoshëm të konsumit.

 

Rrjedhimisht, aktiviteti ekonomik u dëmtua nga shtrembërimet e çmimeve, barra financiare e subvencioneve të shtetit për ndërmarrjet si rezultat i sistemit të ngurtë të çmimeve fikse dhe nga specializimi i prodhimit, i cili çoi në mospërputhje të mëdha midis kërkesës dhe ofertës. Megjithatë, për një periudhë kohe, pasojat e këtyre politikave u maskuan nga përdorimi i konsiderueshëm i burimeve të huaja të marra nga ish-Bashkimi Sovjetik në viteve ’50 dhe nga Republika e Kinës në vitet ’60-’70”. Në vitin 1978, Shqipëria shkëputi tërësisht marrëdhëniet ekonomike e financiare me Kinën dhe në vend që të fillonte zbatimin e politikave të ndryshimit, ajo u zhyt tërësisht në zbatimin dhe pasojat e politikës autarkike financiare, duke bërë “de facto” vetizolimin e plotë të saj. Kjo solli përshpejtimin e rënies së mëtejshme të prodhimit, intensifikim të zhbalancimeve makroekonomike, pakësim të rezervave valutore, rritjen e papunësisë dhe rrënimin teknologjik. Në kushte të tilla, zhvillimi i ekonomisë ra me ritme të shpejta nga 5 për qind në vitin 1970, në mesatarisht 1 për qind në vit gjatë viteve ’80.

 

Ndërsa fundi i vitit l990 dhe fillimi i vitit 1991 e gjeti ekonominë Shqiptare të mbërthyer nga një krizë komplekse, e cila u shfaq dukshëm në rënien e ritmeve të rritjes së PBB dhe të ardhurave kombëtare (1.2% – 1.6%), ndërkohë që ritmet e rritjes (shtesës) së popullsisë ishin 2%, rendimenti i punës po ulej me shpejtësi, deficiti buxhetor ishte mbi 30% të të gjithë buxhetit, ose rreth 16 për qind e PBB-së, deficiti tregtar (bilanci valutor dhe i pagesave me jashtë) ishte rreth 350 milionë USD, inflacioni i hapur dhe i fshehtë po mbërthente ekonominë dhe rëndonte gjithnjë e më shumë mbi konsumatorët, papunësia po rritej me shpejtësi marramendëse, oferta e mallrave të konsumit dhe e lëndëve të para shënoi një rënie të menjëhershme, të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë po përkeqësoheshin me shpejtësi etj.

 

Si rrjedhojë, fundi i regjimit komunist dhe fillimi i tranzicionit e gjeti Shqipërinë me probleme të akumuluara ekonomike, strukturore, sociale, me politika të pamenaxhuara drejt, me zhbalancime të theksuara të sistemit financiar dhe me mungesë vullneti nga një klasë politike konservatore për të ndërmarrë reformat që kishin filluar tanimë në vendet e tjera ish-komuniste, veçanërisht në Hungari, Poloni, ish-Republikën Çekosllovake, Rumani e Bullgari etj.

 

PËRVOJË E REFLEKTIM NGA REFORMAT EKONOMIKE NË VENDET E EUROPËS LINDORE

 

Ka çaste që shënjojnë jetën e një njeriu në mënyrë të pakthyeshme. Këto çaste mund të jenë gjithfarësh, po aq të ndryshëm sa vetë njerëzit me njëri-tjetrin. Mund të jetë një tingull, një fjalë, një copë heshtjeje që zhurmon, një plumb, një buzëqeshje, një grua, një tradhti, një sekret, mund të jetë gjithçka. Në rastin tim, çasti që më shënjoi jetën ishte disi ndryshe. Ishte fundviti 1990 dhe isha i bindur se nuk hyja në radhët e kundërshtarëve të regjimit.

 

Nuk e doja, por nuk kuptoja atëherë edhe që nuk e urreja. Më ngjante i natyrshëm në panatyrshmërinë e tij. Si një njeri – si gjithë shqiptarët e tjerë – i lindur në një “qeli” dhe që është i bindur se përmasat e gjithë botës përmblidhen në katër skajet e ngushtë të “qelisë”. Nuk e dija atëherë se një njoftim (Fatos Nano më tha se “Shoku Ramiz e ka miratuar vajtjen e një grupi pune në disa shtete të Europës Lindore për të marrë përvojën për kalimin nga ekonomia e centralizuar komuniste, në ekonominë e tregut) do të më hapte dyert e “qelisë”.

 

Do të më shënjonte jetën. E kam kuptuar vërtet shumë e shumë vite më pas, atëherë kur popujt e Europës Lindore dukeshin sikur i përkisnin një epoke tjetër edhe në Shqipëri dhe kur vetë Shqipëria dukej se i përkiste një bote tjetër nga Perëndimi. E mendoni një bari të veshur me frak? Me një kostum të përkryer? Do të dukej vërtet i çuditshëm.

 

Shikimet, fjala vjen nuk do të ndaleshin te tegelat elegantë të kostumit, por te duart e tij të ashpra, te fytyra e zhuritur nga dielli. Te vështrimi i tij i trembur që nuk do të njihte as veten në pasqyrë. Kështu ishim dhe ne shqiptarët e Europës në dimrin e trishtuar të vitit 1990. Kështu do të ndihesha edhe unë vetëm pak ditë më pas, kur do të merrja për herë të parë avionin në jetën time. Kur do të ndieja atë shkarje poshtë të fytit, atë rrokullimë të tij në stomak, atë djegie stomaku me fyt brenda, atë drithërimë gjunjësh me ritmin e frymëmarrjes së marrë nga ankthi dhe emocioni.

 

E pra, atë natë dhjetori, nga miku im Fatos Nano mora vesh se më kishin zgjedhur të isha pjesë e një delegacioni ekonomistësh që do të merrnin eksperiencë, këshillë dhe njohuri nga vende të Lindjes, që ishin ndarë nga komunizmi. Hungaria, Polonia dhe Bullgaria ishin tri stacionet tona. Ishim katër vetë: Fatos Nano, Mynyr Maska dhe Arben Bakllamaja. Fatos Nano qëndroi vetëm pak ditë, vetëm në Budapest me grupin. Ndërkohë që ai ndodhej në delegacion, u njoftua se ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

 

Më pas edhe zëvendës dhe Kryeministër i vendit. Njihesha shpejt me të… Fati e desh që rrugët tona në jetë dhe në politikë të kryqëzoheshin shpesh. Herë si miq që ndanin të njëjtin fat dhe bindje, herë si bashkëpunëtorë dhe herë si “kundërshtarë” që i ndante mbi të gjitha, helmi i keqkuptimeve dhe pesha e politikës. Udhëtimi ynë kishte të bënte me dilemat e Ramiz Alisë në atë periudhë. Besoj se ai e kuptonte se Shqipëria nuk mund të ecte më në rrugën e saj.

 

Se ndonëse ishte prej shumë vitesh lajtmotiv se Shqipëria ishte një rast i veçantë, nuk kishte më asnjë mundësi dhe motiv që vendi të ishte tërësisht i veçantë në ato kohëra të veçanta, që po ndryshonin e drithëronin botën. Ishte ekonomia e rrënuar që triumfoi mbi ideologjinë “triumfaliste” të komunizmit, ishte liria që vinte si shenjë edhe për ne që nuk e njihnim lirinë që e kishte shembur komunizmin. Përtej dritareve me hekura, ku kishim kaluar jetën deri më atëherë, ne vetë kishim ndërtuar një mur. Dhe nuk shihnim dot përtej murit, duke pandehur shpesh se vetë muri ishte kufiri i botës.

 

Arratitë me libra që bënim na çonin ose në aventurat e Zhyl Vernit, ose në fytyrën e egër të kapitalizmit të shekullit XIX. Përtej tij nuk dinim asgjë. Televizorët bardhë e zi që na tregonin pjesë të jetës së Perëndimit ishin megjithatë fare pak, krahasuar me rrugëtimet që na jepte fantazia. E kujtoj mirë një kanoçe Coca-Cola që e kam gjetur në breg të detit në Sarandë, në vendin e quajtur Pllakat (sot një zonë me plazhe fantastike, ku turistë nga vende të ndryshme, përfshi dhe vendet ku morëm përvojë në vitet ’90, janë frekuentues).

 

Duhet të vinte nga Korfuzi ose ishte hedhur në det nga ndonjë prej trageteve me turistë, që kur kalonin netëve pranë Sarandës ishin plot drita, kur kalonin gjatë ditës ngjanin tërësisht të bardhë si re. Ngjyra e kuqe e kanoçes së Coca-Cola-s, nga qëndrimi i gjatë në det ishte gati e zbardhur. Nuk e kisha provuar atë shije kurrë. Pija e parë që porosita në Budapest ishte pikërisht një Coca-Cola dhe pak zhgënjim, në fakt, sepse e prisja ndryshe, por më ngjau si shije e njohur. Në xhep kisha 200 dollarë. Me to kisha planifikuar të bëja gjithë dhuratat që priteshin nga unë për të gjithë të afërmit.

 

Bleva një magnetofon. Ende e ruaj në shtëpi si një relikte. Ky ishte udhëtimi që shënjoi jetën time. Deri më atëherë, besoja se do të dilja në pension si pedagog ekonomie. Kishte pak muaj që ëndërroja dhe biznesin. Njihja disa shqiptarë që kishin nisur ta bënin një gjë të tillë. Një pjesë të tyre i takova dhe në Budapest. Të trembur nga e panjohura, por të lirë. Disa nga ta, sot janë nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri.

 

Unë vetë u afrova me të majtën. Dhe i hyra politikës pa e ditur se politika ishte… Të afronte majën për të ta bërë edhe më të dhimbshme rënien drejt humnerës, atëherë kur miqtë që shumoheshin kur ishe në majë, fërkonin duart në pritje të përplasjes me fundin e humnerës. Shpesh jam kthyer në atë kohë që më qëndron ende pezull. Sot ende nuk jam i sigurt, nëse në rast zgjedhjeje vetjake për të shkuarën, kur di se çfarë të sjell e ardhmja, do të kisha zgjedhur të hyja në këtë ‘biznes’ zemërdridhës si politika, apo do të preferoja qetësinë e jetës në anonimat.

 

Nuk e di! Por atëherë dija vetëm se në kthim në Tiranë, do të më duhej të punoja për të treguar se çfarë kishin bërë hungarezët, polakët e bullgarët mbas rrëzimit të komunizmit. Sepse ata ishin si ne. Sepse ata nuk ishin si ne! Për gati 45 ditësh në të tria këto vende, patëm dhjetëra takime.

 

Tentuam të bëjmë një fotografi të situatës në ato vende, që e mbivendosnim mbi fotografinë e Shqipërisë, për të kuptuar se çfarë duhej të bënim dhe ne.

 

Në përfundim të vizitës përgatitëm një raport voluminoz për Ramiz Alinë dhe për Fatos Nanon, që në atë kohë ishte bërë zëvendëskryeministër. Po e sjell për herë të parë këtë punim kolektiv. Pa dashur ta komentoj se si e shoh sot. Këtë atribut e ka vetëm koha. Dhe, në këtë punim, koha ka ndalur.