Aktualitet

“Minjtë dhe gjarpërinjtë na hyjnë brenda”, 32-vjeçarja rrëfen dramën: Jetoj me dy vajzat në një kasolle në kushte të mjerueshme. Burri në burg pasi…

By vizional

May 05, 2020

Ajo është 32 vjeçe por vuajtjet i ka të shkruara mirë në pamjen e saj që e tregojnë më të pjekur. Historia e Xhane Lushes, nënë e dy vajzave që jeton në Lanabregas ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24. Është martuar me shkesë me një djalë nga Kukësi, por fatkeqësitë nuk kanë të sosur në jetën e tyre. Varfëria ka sjellë dhimbje, lot, divorc fizik mes partnerëve dhe humbje njerëzore. E trishtuar, nëna e re tregon dramën e jetës. Në muajin e katërt të shtatzënisë gruaja humbet foshnjën pa e kuptuar. Këtë gjë e merr vesh pas një vizitë të zakonshme me mjeken, ku kishte shkuar për të mësuar gjininë e bebes. Por për të mos mjaftuar kjo, me datë 3 shkurt të 2020-ës burri i alkoolizuar përfundon pas hekurave.

 

“Në moshën 25 vjeçe jam martuar me shkesë. Ishte dëshirë e përbashkët. Unë jetoja në Tiranë me prindërit dhe u martova në Kukës. Me origjinë jam nga Kukësi, në Tiranë kam ardhur që në moshën 10 vjeçe. Fillimisht qëndruam te shtëpia e vjehrrit. Jetesa ishte shumë e vështirë, pasi binte dëborë dhe vendosëm që të kthehemi në Tiranë. Vjehrri vendosi ta shesë shtëpinë dhe na kërkoi që të largohemi. Tani jetojmë në një bunker, anash tij kam shtuar një barake të vogël. Jetesa ime është shumë e varfër. Burri punontenë ndërtim. Me aq të ardhura që sillte përballonim jetesën. Më shumë kemi jetuar me borxhe. Kemi 2 fëmijë, 5 dhe 4 vjeç. Kushtet e banesës janë shumë të rënda. Brenda kam dy divane, por nuk kam kuzhinë për të gatuar, as dhomë gjumi. Na futen minjtë brenda në rroba, korridori është me llamarina. Na është futur dhe gjarpri brenda. Ishte tmerr! Kemi luftuar duke e nxjerrë me lopata dhe fshesë. Kemi malin afër dhe banesa është në kushte të këqija. Buburrecat futen te buka dhe sheqeri. Rrezikohemi nga helmimi dhe vdekja. Kur bie shi na bien gurë sipër llamarinës, ndërsa uji futet brenda pa mëshirë. Qëkur ka shkuar burri në burg nuk kam pas bukë për të ngrënë. Po jetojmë me borxhe”, tregon me lot në sy 32-vjeçarja.

 

Ajo rrëfeu më tej se mbijetesën e vështirësoi më shumë situata e pandemisë. “Nuk mund të punoj, marr biskota borxh për të luftuar urinë. Burri ka hyrë në burg me datë 3 shkurt të 2020-ës. Ai shkonte shpesh në mal dhe një ditë gjeti dy armë të groposura, por i ka lënë aty. Një ditë ishte në gjendje të dehur dhe pa vetëdije i mori armët dhe i solli në shtëpi. Ishte ditë e hënë, unë shkova te prindërit në Kamëz me dy vajzat, ndërsa ai ka pirë gjithë ditën. Në gjendje të dehur ka shkuar në mal natën. Më pas ka shkuar te vëllai me armë në dorë dhe i ka thënë: do më japësh 10 mijë lekë të vjetra për të pirë, sepse nuk kam. Ai i ka thënë nuk kam lekë, por nga frika se mund të bëjë veprime të pakontrolluara e denoncoi në polici. Burri ka filluar pijen në verë pasi u përballem me disa fatkeqësi në familje. Aksidenti i parë ishte një ditë verë, ku burri u nis për në punë për të kositur bar, por u rrëzua me motor duke pësuar dëmtime fizike. Gati një muaj mbeti i shtrirë në divan, pasi nuk i lëvizte dot këmbët. Unë isha shtatzënë një muajsh, e çoja në banjë. Pas atij rasti u mërzit shumë dhe filloi pijen. Në korrik bëri aksidentin, por në shtator na u dogj banesa. Isha 4 muajshe shtatzënë. Një ditë shkova për vizitë te materniteti ri për të parë gjininë e bebes, por mjeku më tha: nuk i rreh zemra, i ka ndaluar. Kushedi sa ditë kishte vdekur në bark, por unë nuk e dija. Më vdiq në bark! Kjo ndodhi nga tronditja, nga tmerri dhe lodhja. Ishte verë dhe lava tavanin. Në dhomë kemi pasur një televizor të vjetër, por kishte ekranin e dëmtuar. Fikej dhe ndizej shpesh. Në dyshojmë se flaka ndodhi si pasojë e lagështirës ose televizorit të djegur. E pamë të përfshirë nga flakët. Ne ishim jashtë, por kur hymë brenda ishte djegur çdo gjë”, u shpreh gruaja e re.

 

Sa i përket arrestimit të bashkëshortit ajo tha se i vëllai tha që kur e bëri akuzën, kunati është shumë i penduar se ka vepruar pa u menduar mirë. Ai do vetëm të dalë nga burgu vëllai. Burri ishte i dehur dhe me armë në dorë, policia ashtu e gjeti. Kunati dhe burri thonë që e kanë bërë nga gjaknxehtësia këtë veprim pa u menduar. Kunati është shumë i penduar. Burri është tek burgu 302 në Tiranë dhe ka shumë frikë nga gripi. Masa e sigurisë është pa afat dhe po pret të dal në gjyq. Me kunatin marrëdhëniet janë mirë, janë shumë të penduar me atë që ka bërë për vëllain”, tha ajo duke shtuar se kunati i ka qëndruar shumë pranë sepse ka edhe ai hallet e veta dhe nga kjo situatë e vështirë.

 

Kujtim Qefalia, kryetar i njësisë administrative Dajt premtoi ndihmë për familjen. “Kur dëgjova historinë e kësaj familje u preka shumë dhe ne do e ndihmojmë. Me çdo gjë ne do të ndërhyjmë të ndihmojmë”, tha ai.