Ministri Demiraj takim me drejtues të Policisë: Mos u merrni me fushatë,...

Ministri Demiraj takim me drejtues të Policisë: Mos u merrni me fushatë, do ketë penalizime

431
0

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit. Gjatë takimit Demiraj ka theksuar tre prioritetet: Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Mospjesëmarrja dhe mos përfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore, si një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal. Ministri nënvizoi se cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përshihet në fushata duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. ‘Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim’, u shpreh ai. Çështja tjetër që Ministri Demiraj e trajtoi me shumë vëmendje ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ministri tha se duhet të vijojë intensifikimi në luftën ndaj fenomenit, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim. ‘Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit’, tha ai.