Migrena është një gjendje neurologjike kronike, mjaft e përhapur kudo në botë, dhe që përfshin një sërë shenjash klinike. Më kryesorja është dhimbja e fortë e kokës, por mund të shoqërohet edhe me shenja të tjera, si: të vjella; ndjeshmëri të shtuar ndaj zhurmave, aromave, apo dritës; si dhe ndryshimet në shikim. Migrena mund të jetë episodike, ose kronike. Nëse dhimbjet migrenoze qëndrojnë deri në 14 ditë, ato klasifikohen si episodike. Mbi 15 ditë, konsiderohen si kronike.
Shkaqet e migrenëz: Janë ende të panjohura. Ende nuk ka një shkak të vërtetuar shkencërisht, por mendohet se dhimbjet migrenoze të kokës vijnë si pasojë e një sërë faktorësh si ndryshimeve hormonale (dyshohet si kryesori), faktorëve gjenetikë, mjedisorë, niveleve të serotoninës në trup, si dhe aktivitetit elektrik të trurit. Kërkimet për të gjetur shkakun e vërtetë janë duke vazhduar ende. Ndërkohë që ka disa faktorë që e rëndojnë dhimbjen migrenoze, si alkooli (sidomos vera e kuqe), çokollata, kafja, ushqimet me aroma të forta, si dhe djathi.
Faktorë risku për prekjen nga migrena janë:
– mosha (episodi i parë shfaqet kryesisht në adoleshencë),
– historia familjare (rreth 90% e personave të prekur kanë histori familjare)
– seksi (në fëmijëri është më e hasur tek meshkujt, ndërkohë më vonë shfaqet më së shumti tek femrat).
Mundësitë e trajtimit: Ndahen në dy grupe, trajtim akut dhe trajtim parandalues. Trajtimi akut merret përgjatë episodeve me dhimbje migrenoze për të lehtësuar simptomat, ose për të ndaluar rëndimin e tyre. Në këto raste, trajtimi përfshin barna qetësuese apo pajisje, të cilat kryesisht ndikojnë në aktivitetin elektrik të trurit.
Trajtimi parandalues synon të reduktojë frekuencën, rëndesën apo kohëzgjatjen e episodeve të migrenës, përpara se ato të shfaqen. Ky trajtim përfshin barna, ndryshime në stilin e jetesës, si dhe terapi biheviorale. Kjo formë trajtimi ka treguar efikasitet në rreth 40% të personave që e kanë përdorur. Në rastet kur funksionon, ai e redukton frekuencën e episodeve të migrenës me të paktën 50%.