Aktualitet

“Mezi po flas për shkak të erës”, gazetarja rrëfen situatën e rëndë me plehrat në Durrës: Kamionë me mbetjet në Shkozet, banorët protestë, rrezikohet sezoni

By vizional

June 28, 2021

Një situatë e pazakontë e dramatike me mbeturinat në Durrës që vë në rrezik gjithë sezonin turistik dhe mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e popullatës.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj që ka raportuar për “BalkanËeb” këto ditë mbi situatën e krijuar ka qenë sot në Shkozet, ku mbrëmjen e kaluar janë transportuar tonelata me plehra. Në vështirësi serioze gjatë raportimit për shkak të erës së rëndë, ajo tha se kjo është një zgjidhje emergjente e momentit nga ana e bashkisë së Durrësit, teksa jetesa në këtë zonë është bërë e padurueshme dhe banorët janë çuar në protestë.

 

“Ndodhem në lagjen 14 në Shkozet të Durrës, në vendin ku deri para pak ditësh ndodheshin qentë rrugaçë. Ditët e fundit po shërben si vendgrumbullim i mbetjeve urbane. Mbledhja e tyre ka bërë që banorët e Shkozetit të hidhen në protestë. mezi flas për shkak të erës së rëndë që lëshojnë plehrat e dekompozuara nën temperaturat e larta.

Është e padurueshme jetesa në këtë lagje, ndërkohë që kjo është një zgjidhje emergjente e momentit që mundi të bëjë bashkia e Durrësit, pasi prej 6 ditësh plehrat mbetën rrugëve, duke mbushur trotuaret. Bashkia e Durrësit ka kërkuar ndihmë nga bashkitë e tjera. Gjatë natës së kaluar një duzinë kamionë janë dërguar në bashki të tjera në veri për t’u menaxhuar.

Kreu i PD Durrës Ferdinand Xhaferri ka qenë pak minuta më parë dhe ka folur me banorët.

I gjithë sezoni turistik i rrezikuar. Pas mbylljes së vendgrumbullimit të plehrave në Porto Romano, bashkisë nuk iu dha mundësi për vendgrumbullimin e tyre”, raportoi Haxhiaj.