Aktualitet

Meta SULMON hapur deputetët e rinj: I duhet hequr pushteti atyre që zbritën nga lozhat e spektatorëve, Ruçi do ndihmojë Kuvendin

By vizional

August 02, 2019

Presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë pasi publikoi përgjigjen e letrës së Kuvendit të Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, Meta thotë se e kupton pozicionin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçit dhe e di sesa e vështirë është të mbash atë pozicion.

Kreu i Shtetit ka sulmuar deputetët e rinj që pranuan mandatin teksa i quan pakica që zbritën nga lozhat e spektatorëve dhe hipën në karriget e deputetëve, dhe që sipas tij po e shohin këtë konflikt dypalësh si sport argëtues.

“Është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar”, shkruan Meta ndër të tjera, teksa thekson se “përvoja e Ruçit, por edhe e deputetëve të tjerë, do e ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë”.

 

Deklarata e plotë:

 

Të dashur miq!

 

Në vijim të komunikimit institucional me Kuvendin e Shqipërisë dua të ndaj publikisht me të gjithë kthimin e përgjigjes ndaj këtij institucioni tepër të rëndësishëm nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

 

E bëj publike këtë letër pasi çështjet e ngritura janë publike dhe natyrisht që kërkojnë zgjidhje të përgjegjshme nga të gjithë ne, gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe respektimit të ligjshmërisë në vend, në respekt të parimit të ndarjes dhe balancës të pushteteve, por dhe detyrimit të pashmangshëm për bashkëpunim ndërinstitucional vetëm në interes të vendit dhe qytetarëve tanë.

 

Unë e di nga përvoja e mëparshme se sa e vështirë është të jesh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, aty ku konfliktualiteti i dy palëve prej dekadash është konsoliduar si sporti më argëtues për tifozët e udhëheqësve respektivë, të cilët prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 filluan të zbresin edhe nga lozhat e spektatorëve direkt në karriget e deputetëve, madje edhe të boksojnë herë pas here për të garantuar vendin në listat e radhës e duke e bërë të pamundur përmbushjen efektive, të përgjegjshme dhe atdhetare të përgjegjësive të institucionit më të rëndësishëm të vendit që zgjedhin e besojnë qytetarët, të cilët po rrallohen çdo ditë pikërisht se ky konflikt i orkestruar dhe mbështetur nga një pakicë që përfiton me të gjitha qeveritë e radhës, si dhe garanton përmes zhurmës dhe tymit të sherrnajës së përhershme atje miratimin e ligjeve preferenciale e selektive që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, buxhetin e shtetit dhe familjet shqiptare.

 

Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krize e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.

 

Kësaj pakice, që nuk ka asnjë lloj ideologjie i intereson vetëm shpikja e konflikteve të pafund në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të zhvishen çdo ditë nga të drejtat e tyre të fituara me aq sakrifica çdo ditë dhe të kthehen skllevër në atdheun e tyre.

 

Dhe kjo po ndodh se shumë prej përfaqësuesve të tyre që duhet të mbrojnë çdo ditë qytetarët e tyre u janë mbyllur sytë për të parë dhe veshët për të dëgjuar hallet e shqiptarëve. Por jo goja për të argëtuar liderët e tyre. Sepse kjo është e vetmja rrugë për të marrë firmën e tyre për në listën e radhës.

 

Ndaj është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar.

 

Unë vazhdoj të besoj se përvoja e zotit Ruçi, por edhe e deputetëve të tjerë, do e ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë në këtë kohë kritike për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.