Aktualitet

Meta: Shtypi sot më pak i lirë. Apeli që ka për gazetarët

By vizional

May 03, 2019

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Presidenti i vendit Ilir Meta e ka vënë theksin tek situata në vend, dhe thotë se shtypi sot është pjesërisht i lirë. Duke u pozicionuar në krah të çdo gazetari, ai i fton të bëjnë detyrën me përkushtim dhe të denoncojnë çdo rast shantazhi e kërcënimi. “Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”,- thotë Presidenti.

 

STATUSI I PLOTE

 

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante.

 

Kjo situatë duhet të marrë fund! Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.

 

Të dashur gazetarë,

Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës.

Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.

Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë!

Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre.