META mesazh të fortë për ‘Dhunën Ndaj Gruas’: Çdo akt burracakërie të...

META mesazh të fortë për ‘Dhunën Ndaj Gruas’: Çdo akt burracakërie të mos tolerohet në shoqërinë tonë

420
0

 

Presidenti Ilir Meta bëri thirrje për sensibilizimin e mbarë shoqërisë shqiptare në kuadër të emancipimit për rritjen e rolit të gruas në shoqëri si dhe dënimin me të gjitha forma të dhunës ndaj saj.

Kreu i shtetit konsideron se dhunimi i grave nuk duhet të tolerohet në shoqërinë shqiptare, e cila bazohet fuqishëm te familja.

Ndër të tjera, Meta iu bashkua nismës ”Të ngjyrosim botën portokalli” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Dhunës Ndaj Gruas.

Mesazhi i Presidentit Meta për Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Ndaj Gruas:

Fenomeni i dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk duhet rreshtur kurrë së dënuari. Çdo akt burracak dhune, verbale e fizike ndaj tyre, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet, sidomos nga një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ndaj edhe sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në mbështetje të fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli”, Institucioni i Presidentit të Republikës do të solidarizohet me këtë nismë jetike për shoqërinë tonë, dhe domosdoshmërinë e dënimit me të gjithë forcën e ligjit të dhunës verbale e fizike ndaj grave dhe vajzave.