Meta: Marrëveshja moment pozitiv për vendin

Meta: Marrëveshja moment pozitiv për vendin

410
0

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e konsideroi një moment pozivit situatën e re të krijuar në vend, pas marrëveshjes politike të 18 majit PS-PD, e cila i hapi rrugën zhbllokimit të vettingut dhe futjes së opozitës në zgjedhje. “Dua të vlerësoj angazhimin e të gjithë aktorëve që kontribuan për këtë moment të ri pozitiv ku ndodhemi dhe strategjia është që të vazhdojmë në mënyrë konstruktive për të organizuar zgjedhje tërësisht transparente dhe për të dhënë mesazhet e duhura ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë, që të kenë mundësi të bëjnë zgjedhjen e tyre, larg çdo forme presioni apo manipulimi”, u shpreh Meta në një prononcim për mediat nga kryesia e Kuvendit. Duke komentuar marrëveshjen PS-PD, ai tha se LSI ka luftuar që Rama dhe Basha të gjenin një zgjidhje për ngërçin, përmes dialogut, pasi, si përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike, ata kishin dhe përgjegjësinë kryesore për konfliktin e krijuar. Meta tha se ndonëse situata nuk ështe perfekte, ajo është një mësim se të parandalohen kriza të tilla në të ardhmen. “Nëse ka një forcë që nuk ka arsye të jetë e trishtuar për këtë marrëveshje, ajo është LSI-ja, që ka punuar gjithmonë për dialog e konsensus dhe ka qenë e qartë kur ka thënë se duhet një qeveri besimi për zgjedhje”, deklaroi ai. Dhe kjo ka ndodhur, shtoi Meta. “Nuk u bë një qeveri teknike pa Edi Ramën siç e donte PD-ja dhe nuk u bë as një qeveri politike siç e donte mazhoranca”, vijoi ai, ndersa shtoi se LSI është ajo që ka përfituar më pak nga marrëveshja, pasi ka investuar për të ardhmen e Shqipërisë. “Më shumë kanë sakrifikuar PS dhe PD. Të gjitha këto zhvillime janë pozitive dhe tani mund të vazhdojmë me zbatimin e konsensusit”, nenvizoi Meta.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me koalicionet, presidenti i zgjedhur është shprehur se, “krahët e LSI janë të hapur për të gjithë”, ndërsa rikonfirmoi se LSI do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit. “Në vitin 2013 LSI nuk ka përfituar nga PS. Përfitimi ka qenë reciprok. LSI ka marrë 34 mandate në 2015-n, kështu që kuptohet se ku do të jetë rezultati për 2017-n”, shtoi Meta