Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka shprehur sot keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku fillimisht e falenderon për urimet e dërguara prej tij me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë, zoti Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”. Presidenti shqiptar bën më tej të ditur në letrën e tij se “do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të Qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.