Meta: Çfarë mendoj për zgjedhjet, sa mandate do të marrë LSI/ intervista...

Meta: Çfarë mendoj për zgjedhjet, sa mandate do të marrë LSI/ intervista e plotë

428
0

Dua të ndaloj te një marrëveshje e rëndësishme e arritur pak ditë më parë midis dy liderëve të PD dhe PS, marrëveshjen e famshme Rama-Basha. Ju luftuat për një kohë të gjatë për të arritur një marrëveshje politike me idenë për ta çuar opozitën në zgjedhje. Sot kjo marrëveshje ekziston, por u arrit pa ndërmjetësinë tuaj, me gjithë luftën dhe përpjekjet tuaja të kësaj kohe. Ka shumë dhe nga ata që thonë se ju penalizon…

Së pari, kjo marrëveshje favorizon Lëvizjen Socialiste për Integrim, por këtë mund ta shpjegoj më pas dhe nuk është kjo arsyeja për të gjykuar nëse një marrëveshje është ose jo e dobishme.

Së dyti, kjo marrëveshje mund të them se në thelbin e saj garanton zgjedhje me opozitën, që ato të mos jenë farsë. Është rezultat i një angazhimi sistematik dhe mjaft konstruktiv i Lëvizjes Socialiste për Integrim për një kohë të gjatë. Dhe në fund fare produkti kryesor cili është? Futja e opozitës në zgjedhje gjë për të cilën ne nuk kemi reshtur asnjëherë përpjekjet për ta realizuar.

Dhe së treti, krijimi i një qeverie besimi për zgjedhjet. Kjo qeveri u krijua. LSI-ja foli për qeveri besimi prej gati 2 muajsh dhe madje ofroi për të vënë në dispozicion të një qeverie të tillë që garantonte pjesëmarrjen e opozitës në të gjitha mandatet e saj. Pra, në mandatin e kryeparlamentarit, të ministrave dhe kështu me radhë.

Pra, ju ndiheni si kumbar i kësaj qeverie. Kjo është qeveria e besimit, është ajo që propozuat ju.

Nuk dua të them se si ndihemi, ndihemi si kumbarë ose jo, por ndihemi të lehtësuar. Vendi ishte në buzë të greminës për sa i takon demokracisë dhe zgjedhjeve. Për fat të mirë nuk ramë në fund të humnerës për të kuptuar se çdo të thotë kjo, pasi e kemi provuar një herë këtë gjë në vitet ‘96-‘97. Përpjekjet e LSI-së dhe të miat personalisht, por edhe të z. Vasili, kanë qenë sistematike në këtë linjë dhe LSI-ja ka dhënë një kontribut të çmuar, ka qenë mjaft koherente dhe mjaft e balancuar në kapërcimin e një krize tepër të rrezikshme për demokracinë dhe për zgjedhjet.

Jeni të balancuar sidoqoftë dhe në çdo artikulim tuajin, edhe pas marrëveshjes, por ka që thonë se kjo marrëveshje ju penalizon, flas sidomos për mungesën e koalicioneve që ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Në këtë drejtim penalizon edhe PD-në, penalizon edhe PS-në. Madje po të shikoni sot në Partinë Socialiste kishte pasur edhe një shqetësim. Ishin thirrur disa aleatë, një pjesë e të cilëve nuk ishin as të regjistruar dhe ishte kërkuar që votat t’i kalonin Partisë Socialiste. Pra, ata ngrinin një shqetësim ndoshta edhe nga ky vetëpenalizim që i kanë bërë vetes së tyre.

Për të qenë realistë, janë partitë e dyta, partitë e treta që ndihen të penalizuara në mungesë koalicioni apo jo?

Nuk ndodh asnjë penalizim për LSI-në, për arsye se LSI-ja nuk është një parti e vogël, absolutisht që jo.

E dyta, LSI-ja në këtë mënyrë është në pozita krejtësisht të barabarta me PD-në dhe PS-në, pasi edhe ato nuk janë në koalicione. Në qoftë se ato do të ishin disa koalicione dhe LSI-ja nuk do të ishte, natyrisht që këtu mund të kishte një relativizim, por është një garë tërësisht e barabartë midis 3 partive kryesore. Mjafton t’ju përmend edhe një herë që me rezultatet e vitit 2013, me këtë formulë, LSI-ja humbi vetëm një mandat në vitin 2016 që ka marrë në atë kohë në Elbasan për 200 vota. Me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2015, LSI-ja…

Që nuk është e njëjta…

Është e njëjta logjikë. Ta them unë pse është e njëjta logjikë. Është e njëjta logjikë për të tria partitë. Ato janë votat e partisë. LSI-ja ka 34 mandate me këtë logjikë. Vetëm në Tiranë, në vitin 2015, ka mbi 7 mandate, sepse ka 74 mijë vota, përveç shumë qarqeve të tjera që kanë nga 4 mandate.

A është njësoj si në vitin 2015 situata?

Situata nuk është si në vitin 2015, sepse LSI-ja ka një rritje shumë të ndjeshme nga viti 2015, për shkak të punës së jashtëzakonshme që ka bërë dhe bën në mënyrë sistematike me rininë. Natyrisht, kjo ndikon shumë në rritjen e prurjeve dhe të trendit në përkrahje të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kështu që forca politike…

Në vitin 2013 ishit në koalicion, apo jo?

Po në vitin 2013 ishim në koalicion, por ishin vota për LSI-në ato. Edhe PS-ja ishte në koalicion me ne.

Dakord, por kemi parasysh formulën çfarë lë në fund, çfarë marrin, çfarë rrumbullakosin partitë e vogla, pa dashur të bëhemi teknikë…

Absolutisht, nga partitë e vogla ka përfituar PS-ja dhje PD-ja më shumë, nuk ka përfituar LSI-ja, sepse ajo ka marrë 16 mandate kur i ka dhënë 180 mijë vota koalicionit. Pra, ka dhënë 20 mijë vota më tepër, të cilat i ka marrë PS-ja ose ndonjë parti tjetër që ka qenë.

Pra, viti 2009 dhe viti 2013 tregojnë diçka.

Nuk tregojnë asnjë gjë, sepse jua thashë edhe një herë këtë gjë që jemi në një situatë krejt tjetër dhe rritja e LSI-së natyrisht që është një shqetësim për forca të caktuara politike, por është e pandalshme, është në progresion të pandalshëm. Kështu që përgatituni për surpriza.

Petrit Vasili e ka konsideruar një veprim antikushtetues pamundësinë që sjell marrëveshja për koalicionet në datën 25 qershor. A keni synim ta ankimoni, të bënë diçka në lidhje me këtë?

Jo, absolutisht. Nuk kemi asnjë arsye të ankohemi, sepse kjo marrëveshje duhej të ishte arritur para 2-3 muajsh, kur ne e kërkuam këtë gjë, kur ne ofruam mandatet tona, kur ne ofruam logjikën e kompromisit midis dy palëve, midis një pale që thoshte le të mos vijë opozita në zgjedhje, se nuk u bë qameti, se ka opozitë, pasi janë dhe parti të tjera që do të bëjnë opozitën dhe një palë tjetër që thoshte se asnjë herë nuk do të shkohet në zgjedhje me këtë kryeministër, me këtë qeveri, e kështu me radhë.

Ne ofruam një propozim për krijimin e një qeverie besimi dhe vumë në dispozicion të krijimit të kësaj qeverie të gjitha mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po të shohim edhe thelbin e marrëveshjes, praktikisht LSI-ja ka sakrifikuar më pak, pavarësisht nga vullneti i saj, sepse vetëm një ministër i LSI-së është larguar, ndërkohë që janë larguar 6 ministra ose 7 ministra të Partisë Socialiste.

Kështu që në të gjitha këto drejtime LSI-ja nuk ka asnjë arsye të ankohet për këtë çështje, pavarësisht se, siç i keni ndjekur edhe ju, në qëndrimet e z. Gjinushi, z. Milo, z. Duka, z. Mediu dhe të shumë përfaqësuesve të partive të tjera duket se ka një nonsens, që jepet mundësia për t’u regjistruar partitë, por nuk jepet mundësia për t’u regjistrua koalicionet. Natyrisht, unë nuk dua të bëj diskutime teknike.

Ju mendoni që ka qenë e qëllimshme kjo nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike?

Si dy parti që mirënjohjen ndaj aleatëve e kanë në themel të politikës së tyre, nuk besoj se ka qenë e qëllimshme.

Keni ironi këtu, apo jo?

Jo, nuk thashë asnjë gjë tjetër përveç asaj që nuk besoj ta kenë pasur me qëllim, por ndoshta, ngaqë e lanë për në sekondat e fundit një marrëveshje që duhej ta kishin bërë prej 2-3 muajsh, për t’u kursyer shqiptarëve të gjithë atë stres, pasiguri të ekonomisë, sezonit turistik që po afron, imazhit të vendit, sigurisht, nuk do të presim që kjo marrëveshje të jetë perfekte, por thelbi i kësaj marrëveshje është përfshirja e opozitës në zgjedhje. Ne jemi shumë të kënaqur që kjo që ka ndodhur dhe që vendi nuk rrëshqiti drejt fundit të greminës.

A është një vit 2008 i dytë për ju?

E kam thënë edhe më parë që nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim. I vetmi shqetësim kanë qenë zgjedhjet pa opozitën. Vendi do të shkonte drejt një konfrontimi civil dhe drejt delegjitimimit të institucioneve të ardhshme, pra të parlamentit, qeverisë, e kështu me radhë.

Ndërsa për çështjen tjetër, kjo është krejtësisht e parëndësishme, pasi jemi dy realitete të ndryshme politike, elektorale…

 

Po qëllimet duken të njëjta.

E kam thënë edhe herë tjetër, historia nuk përsëritet njësoj. Nëse atëherë u përjetua si tragjedi, tani një qëndrim i tillë do të përjetohet si komedi dhe asgjë tjetër më shumë.

Ju e njihni mirë paketën McAllister, ishit pjesë e bisedimeve në tryezë dhe, siç thoni, jeni edhe një lloj gjeneruesi i kësaj ideje për qeverinë e besimit e të tjerë.

Unë kam kërkuar nga Partia Popullore Europiane, si Kryetar i Kuvendit, që të dërgonin një përfaqësues të tyre zyrtar, që t’i jepte besim opozitës, e cila nuk po hynte në dialog me maxhorancën për shkak të mosbesimit. Duke qenë se Partia Demokratike ishte pjesë e kësaj familjeje të PPE-së, i kërkuam zyrtarisht kryetarit të kësaj partie, z. Daul, dhe kjo gjë ndodhi. I kemi bërë të qartë Partisë Demokratike që në atë moment se do të pranojmë dhe do të mbështesim gjithçka që do të propozohet dhe do të sugjerohet nga përfaqësuesi i Partisë Popullore Europiane. Kjo gjë ka ndodhur deri në momentin kur ky përfaqësues i nderuar propozoi një paketë, për mua përfikte, në kushtet e qëndrimeve ekstreme të të dyja palëve.

Po, e cila nuk u pranua në fillim nga Partia Demokratike…

E cila në qoftë se të ishte pranuar në atë moment, do të kishte qenë një lehtësim shumë i madh për të gjithë.

Atëherë, sot kemi një “big mac”, kështu e cilëson Rama të paktën, sipas jush, si ka mundësi kaq dorëlëshuar Rama, kur thotë “big mac”, pra që i ka “dhuruar” Partisë Demokratike shumë më tepër seç kërkoi?

Unë nuk e kam parasysh se çfarë do të thotë “big mac” në rastin konkret, por mendoj se thelbi i kësaj që ka ndodhur është propozimi i McAllisterit. Për sa u takon detajeve, nuk është posti i Presidentit pjesë e kësaj pakete, që ne kemi qenë të gatshëm edhe një ditë para se të arrihej marrëveshja q ta rikthenim vetëm që……

U treguat të gatshëm që të jepnit dorëheqjen.

Po, të respektohej kjo paketë dhe të evitohej kriza dhe të garantohej përfshirja e opozitës, por është vendosur Kryeministri, apo janë shtruar dy –tre ministra, këto nuk kanë rëndësi, thelbi ishte që të gjendej një kompromis midis dy qëndrimeve ekstreme dhe të jepeshin disa garanci për zgjedhjet.

Megjithatë kjo marrëveshje, sipas jush, a arrin të artikulojë ato qëllime për cilat u ideua, qoftë edhe çadra, standarde më të mira zgjedhore, luftë kundër drogës, zgjedhje pa para droge e të tjerë? Në një vështrim të përgjithshëm, kjo marrëveshje a ka shërbyer shqiptarëve, përveçse futjen e opozitës në zgjedhje për arritjen e standardeve?

Kjo marrëveshje duhet të ishte arritur disa muaj më parë.

Së dyti, po të vëmë re, shohim që asnjëherë, për fat të keq, këto dy parti nuk kanë pasur vullnetin e plotë për të garantuar standardet më të larta të zgjedhjeve, sepse gjithmonë ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, gjithnjë për sa u takon zgjedhjeve paraardhëse, sepse për zgjedhjet që do të vijnë, gjithnjë e kanë shtyrë në kufij ekstrem dhe asnjëherë në mënyrë të hapur dhe transparente, nuk kanë respektuar të gjitha afatet dhe të gjitha normat, të cilat krijojnë mundësinë për një proces demokratik tërësisht të qetë, normal dhe në kohë.

Pra, gjithmonë krijojmë situata artificiale krize në dëm të standardeve dhe në fund fare bëhen zgjidhje të sforcuara, të cilat arrijnë një qëllim pozitiv, pra shmangien e një përshkallëzimi ekstrem të krizës, por, ndërkohë, natyrisht po të vëmë re shumë probleme përsëri mbeten, sepse si mund të zgjidhen gjithë këto probleme kur kemi një konflikt të pafund për muaj të tërë. Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it duhet të ishin miratuar me kohë dhe duhet të ishte koha e mjaftueshme për zbatimin e tyre. Pavarësisht nga këto, është arritur qëllimi kryesor, shmangia e një konflikti me dimensione të paparashikueshme dhe me kosto të mëdha për vendin tonë dhe për demokracinë tonë dhe për qytetarët tanë.

Ky ndoshta ishte qëllimi juaj, por qëllimi i deklaruar i opozitës ka qenë diçka tjetër. A i garanton marrëveshja standardet e lira të zgjedhjeve, zoti Meta, apo jo?

Përderisa opozita e ka votuar këtë qeveri, qeverinë “Rama” për zgjedhjet, besoj se i ka garantuar shqetësimet e opozitës. Ky ka qenë shqetësimi ynë kryesor. Fakti që ne nuk kemi pasur mundësinë që t’i zbatonim rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të bërë një proces më demokratik në kohë, domethënë nuk është zhgënjyese, sepse nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në vendin tonë.

Çfarë mendoni për ministrat teknikë, a do të kenë ata kapacitet të bëjnë diçka?

Unë uroj dhe dëshiroj që edhe ata të japin kontributin e tyre, jo vetëm ata, por të gjithë ministrat…

A kanë mundësi teknike realisht?

Edhe ata teknikë, edhe ata politikë duhet të jenë një shembull për të kontribuar në mënyrë të përgjegjshme që të mos ndikojë administrata dhe qeveria në procesin elektoral.

E kanë këtë mundësi ministrat teknikë?

Besoj se do ta kenë. Kjo është çështje vullneti, duke filluar që nga Kryeministri, nga ministrat politikë, nga ministrat teknikë dhe gjithë të tjerët…

Duke pasur parasysh që stafet janë ato të përzgjedhura nga ish-ministrat e të tjerë, a ka ndonjë mekanizëm real për ta kontrolluar?

Nuk mendoj se kishte ndonjë mundësi tjetër më të madhe për momentin për të realizuar këtë mirëbesim. Kjo mbetet për t’u verifikuar hap pas hapi.

A ju ka kërkuar Edi Rama të bojkotoni tryezën e partive politike të 17 majit të thirrur nga Mediu dhe Duka? Këtë gjë e ka deklaruar ish-kryeministri Berisha dje në këtë studio…

Unë nuk e di se çfarë ka deklaruar ish-kryeministri Berisha, por mund t’ju them që kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zoti Vasili në vijim të qëndrimeve mjaft koherente të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë i vetmi politikan shqiptar që një ditë përpara se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit të mbërrinte në Tiranë ka bërë një apel publik për të gjitha palët, sidomos për dy kryesoret, për ta kapur këtë shans, këtë vizitë, si një mundësi ndoshta të fundit për të garantuar zgjedhjet me opozitën dhe për të evituar përkeqësimin e kësaj krize me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen.

Së dyti, ajo që mund t’ju them është që Lëvizja Socialiste për Integrim asnjëherë nuk ka bojkotuar asnjë tryezë, e cila mund të ketë pasur qëllime të mira, pavarësisht nga aftësia apo nga kapaciteti i një tryeze për t’u dhënë zgjidhje edhe problemeve, sepse bojkoti në demokraci është i papranueshëm, aq më tepër i forcave parlamentare, të cilat pavarësisht se ishin të opozitës, treguan një vullnet mjaft pozitiv për të kapërcyer krizën.

E qartë, por ka qenë vetë Petrit Vasili, i cili dje mbrëma në një intervistë tjetër televizive ka deklaruar se eksponentë të Partisë Socialiste i kanë kërkuar të mos marrë pjesë në tryezën e 17 majit me argumentimin se do t’i shtohej rëndësia Partisë Demokratike. Jam duke cituar z. Vasili…

Unë nuk e di, po meqë ju dëshironi të citoni z. Vasili, po e citoj edhe unë z. Vasili, i cili më 17 maj paradite ka nxjerrë një deklaratë mjaft serioze, ku ka deklaruar se është momenti për t’i dhënë fund një teatri absurd apo diçka e tillë dhe jo transparent lidhur me këtë çështje. Ai ka deklaruar se paketa MekAlister duhet të pranohet pikë për pikë nga palët. LSI-ja me qëllim që të zbatohet pikë për pikë kjo paketë është e gatshme të ofrojë edhe postin e Presidentit, që ishte pjesë e kësaj pakete. Kështu që një politikan që bën një deklaratë kaq të përgjegjshme, kaq të fortë nuk mund të ndalet nga askush për të qenë në një tryezë, e cila ishte një shpresë për një reflektim të të gjithëve dhe ajo tryezë pati një rol mjaft pozitiv.

E prisnit 17 majin? E prisnit që Rama dhe Basha të uleshin kokë më kokë?

Kjo nuk është aspak e rëndësishme për mua. Ajo që unë nuk prisja, që nuk e mendoja, që nuk e doja kurrë ishte pikërisht që Shqipëria të shkonte në zgjedhje pa opozitën. Kjo do të ishte dramatike për një vend anëtar të NATO-s, për një vend që synon të çelë negociatat për anëtarësim dhe ua kam thënë edhe disa partnerëve ndërkombëtarë që jam gati të jap edhe dorëheqjen në qoftë se opozita e kërkon përsëri këtë gjë që të hyjë në këtë proces.

Ata më kanë thënë: Pse duket ta bësh ti këtë gjë? Unë u kam thënë: “Më mirë të jem qytetar normal i një vendi normal se sa president i një republike që nuk bën dot zgjedhje me opozitën.” Se e ka fajin Lulzim Basha, apo e ka fajin Edi Ram, apo e ka fajin Ilir Meta kjo nuk ka shumë rëndësi edhe për qytetarët shqiptarë në tërësi, nuk jam duke folur për fanatikët e palëve dhe aq më tepër nuk ka fare rëndësi për ndërkombëtarët. Për ata e vetmja gjë që do të mbetet është që ky vend nuk paska kapacitete që të bëhet një vend normal. Sa herë që ka shpresa që ky vend të ngrihet, përsëri rrëzohet dhe kjo do të ishte një gjë mjaft e rëndë.

Të flasim edhe për çfarë ka rëndësi për LSI-në, sepse Rama nuk u konsultua me ju për marrëveshjen, nuk ju bëri pjesë të marrëveshjes, nuk ju pyeti kur shkarkoi ministrin Vasili. A jeni lënduar nga mënyra se si është sjellë aleati juaj?

Së pari, nëse unë kam një pakënaqësi ndaj z. Rama, pakënaqësi të shprehur jo vetëm ndaj tij, por edhe në prani të z. Ruçi, në prani të z. Agaçi, në prani të kolegëve të tjerë, sepse kemi bërë shumë takime ne për këtë çështje, e kam që duhej të kishte reflektuar më shpejt dhe duhet t’i kishte dhënë zgjidhje më shpejt kësaj situate, por absolutisht nuk mund të kem asnjë pakënaqësi, përkundrazi, pse u zgjidh më 17 maj, pse u zgjidh në orën 12:00 apo 03:00 të mëngjesit dhe si u zgjidh e pse u zgjidh. E vetmja pakënaqësi është se duhej të ishte zgjidhur më parë.

Sidoqoftë, e rëndësishme është që ajo krizë, për mua dramatike dhe e paparashikueshme, u evitua dhe unë për këtë i falënderoj edhe Edi Ramën, edhe zotin Basha.

Kush e zgjidhi krizën?

Mendoj se krizën e zgjidhën faktori i brendshëm dhe faktori ndërkombëtar, i cili u bëri të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdonin më tej me variantet e tyre ekstreme.

Qartësisht faktori amerikan, atëherë?

Pa dyshim që kontributi i faktorit amerikan ka qenë shumë i rëndësishëm, por paketa “McAllister”, angazhimi i McAllisterit, i Fleckensteinit dhe i partnerëve të tjerë europianë ka qenë mjaft thelbësor gjithashtu. Natyrisht që kemi edhe faktorin shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar.

 “Amerikani që erdhi kishte teknika të sprovuara dhe teknologji të sprovuara negocimi”, tha ish-kryeministri Berisha. Meqë është e freskët intervista e tij, që u bë dje në darkë, po e kujtoj. A përdori kërcënimin, shantazhin, çfarë ka ndodhur që u bindën pikërisht në momentin e fundit Rama dhe Basha? Çfarë mendoni?

Unë nuk mendoj se këto teknikat e Doktorit… Nuk i paragjykoj dhe as i paramendoj dot. Natyrisht, kur Doktori flet për gjëra të tilla, ai ka informacionet e tij. Unë pata një takim shumë të mirë më Zëvendës Ndihmës Sekretarin për këtë situatë dhe patëm një mirëkuptim shumë më të plotë për mënyrën si duhet tejkaluar kjo krizë dhe absolutisht, duket si rastësi, ishte një domosdoshmëri që Shqipëria të mos turpërohej, që qytetarët shqiptarë të mos përjetonin një sagë tjetër vuajtjesh, rraskapitjesh, pasigurish, problemesh, konfliktesh e kështu me radhë.

  1. Meta, qëndrojmë te marrëveshja dhe te produktet e saj. Në votimin për shkarkimin e ministrave, që u bë ditën e hënë, u pa se ju votuat kundër shkarkimit të Arben Ahmetajt dhe pyetja e parë është kjo: ishte gabim, apo ishte një qëndrim ndryshe?

Mendoj se ndërrimi i ministrit të Financave, sipas vlerësimit tim, nuk ishte bindës, aq më tepër duke pasur parasysh edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me stabilitetin makroekonomik dhe me çështje të tjera.

Kuptohet që, në rast se do të dilte çështja e ndërrimit të disa ministrave, besoj se të gjithë kemi qenë të qartë që në fillim të kësaj situatë që e para ishte çështja e ministrit të Brendshëm (nuk ka rëndësi se kush ishte dhe se kush është, por në një rast mosbesimi kjo është normale); e dyta, ministri i Drejtësisë, edhe kjo është më se normale, natyrisht edhe disa ministra të tjerë sipas shqetësimeve që mund të kishte opozita. Thjesht ishte një qëndrim personal, por që nuk ndryshonte asgjë.

  1. Meta, dakord që marrëveshja futi Partinë Demokratike në zgjedhje, por nga shumë u konsiderua edhe si pazari i radhës ndërmjet dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, përveç atyre që janë shkruar qartazi në letër, kur lexoni këtë marrëveshje, a shikoni një pakt tjetër të fshehtë?

Nuk shikoj asgjë tjetër, sepse nuk më intereson asgjë tjetër. Më intereson që opozita është përfshirë në zgjedhje; më intereson që vendi është shumë i qetë. Është shumë e rëndësishme që kjo qetësi dhe kjo situatë pozitive të ruhet edhe gjatë fushatës; qytetarët të jenë të qetë, të votojnë të qetë, të votojnë të lirë dhe larg çdo presioni nga kushdo qoftë. Mendoj se kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër.

  1. Meta, çfarë u luajt realisht në Tiranë që nga largimi i McAllisterit, që prezantoi pa sukses paketën e tij të parë, por mbi cilën u draftua edhe Big Mac-u i famshëm tashmë? A ishte vërtet vendi buzë greminës, siç thuhej, apo ishte i gjithi një teatër, z. Meta? Basha dhe Berisha që thoshin se do ta nxirrnin Ramën zvarrë nga zyra, Rama që thoshte ta harronin qeverinë teknike, kurse sot situata është kjo për të cilën flasim. Çfarë teatri ishte?

Nuk dua të bëj gjykime të tilla, sepse bëra jo pak analiza dhe në pyetjet tuaja të mëparshme. Kemi të bëjmë me një klasë politike që ka ende nevojë të maturohet dhe të ketë një vështrim afatgjatë për zgjidhjen e problemeve dhe, mbi të gjitha, të ketë një vullnet më të madh për t’i parandaluar krizat. Mendoj se kjo është mjaft e rëndësishme për të forcuar qëndrueshmërinë e vendit dhe besueshmërinë e tij, pra parashikueshmërinë e vendit. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarin, është e rëndësishme për sipërmarrësin, për investitorin, për të gjithë. Natyrisht, është e rëndësishme të tregojmë që kemi klasë politike profesioniste, e cila di se çfarë kërkon, e cila përdor mjetet e duhura për të kërkuar diçka që është e arsyeshme, që është e logjikshme, që është në interesin e publikut dhe di që interesat e ngushta të mos i vendosë kurrë mbi interesat e publikut dhe mbi interesat e vendit.

Po thoni që deri tani nuk e ka treguar këtë?

Në rast se do të ishte treguar kjo gjë, do të ishim në një situatë tjetër prej disa muajsh. Megjithatë, në sekondën e fundit pati një reflektim. Kjo është pozitive dhe unë përshëndes.

Marrëveshja që ju e vlerësuat edhe këtë mbrëmje, të paktën publikisht rrezikon të prishet pa hyrë ende në fuqi. Ish-kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë në këtë studio se Partia Demokratike thjesht ka miratuar emrat e anëtarëve të komisionit të vetingut dhe ligji duhet riparë. Sot është përgjigjur Rama duke thënë: “Në qoftë se komisionet nuk japin produktin e tyre final brenda majit, marrëveshja prishet”. Po lind një konflikt i ri?

Mendoj se kemi parë konflikte shumë më të forta se ky. Unë besoj se marrëveshja do të funksionojë, opozita do të vazhdojë në zgjedhje dhe reforma në drejtësi do të vazhdojë rrugën e saj.

A qe realisht vetingu thelbi i çështjet, siç thoshte Rama, frika e opozitës?

Fakti që opozita e votoj, tregoi se ky nuk ka qenë shqetësimi i vetëm i saj kryesor. Shqetësimi i saj kryesor ka qenë garancia për zgjedhjet dhe mospërdorimi i vetingut apo i reformës në drejtësi për qëllime politike.

Mendoni se Rama dhe Basha në takim i kanë dhënë garanci njëri-tjetrit, kanë kërkuar garancinë e njëri-tjetrit për imunitet ndaj vetingut?

Ju po i kërkoni pyetjen një personi, i cili, ashtu sikurse edhe ju, nuk ka qenë në atë takim, dhe, natyrisht, nuk ka të drejtë të paragjykojë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre.

Ju i trembeni vetingut të votuar nga dy partitë e mëdha në këtë mënyrë ?

Të lutem, Eni, as vetingut dhe asnjë gjëje tjetër, përkundrazi, dhe as zgjedhjeve të ndershme dhe të lira. LSI-ja, sikurse ju e dini, ka qenë gjithmonë forca më e interesuar për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Gjithmonë shikojmë se mbas çdolloj marrëveshje thuhet se kjo dëmton LSI-në. Pse duhet të bëjnë marrëveshje për të dëmtuar LSI-në apo partitë e tjera, aq më tepër nga parti, të cilat thonë se kanë kauzë zgjedhjet, që janë partitë të përgjegjshme, që janë parti që janë garanci për demokracinë dhe kështu me radhë?

A keni ndjesinë që vetingu mund të përdoret politikisht në një mënyrë apo në një tjetër për të goditur dikë, një grup, një kategori?

Nuk është fare e rëndësishme në momentin që vetingu apo reforma në drejtësi përdoret politikisht, ajo është e dështuar dhe nuk do të arrijë ato qëllime politike që dikush mund të synojë. Do të ishte një komprometim i reformës dhe unë nuk e dëshiroj këtë, për hir të besimit që qytetarët shqiptarë kanë dhe duan të kenë te një drejtësi e re, larg ndikimeve dhe lojërave politike.

  1. Meta në datën 20 maj, në një takim me dyer të mbyllura me kandidatët e Partisë Socialiste për deputet, Kryeministri Rama ka deklaruar dhe po citoj: “LSI-së i kemi dalë borxhit, për muaj me radhë e kemi lutur të bëhet pjesë e koalicionit dhe nuk donte”. Keni një koment për këtë?

Nuk e kam dëgjuar këtë gjë.

Së dyti, mund t’ju them se nuk ka pasur asnjëherë një ftesë serioze nga lidershipi i Partisë Socialiste për koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Kur thoni ftesë serioze, si kanë qenë ftesat?

Më fal, mund të ketë pasur nëpër takime, që ne i bëjmë 71 edhe pa LSI-në, i bëjmë dhe me PDIU, por është mirë që të vijnë dhe ata e kështu me radhë. Pra, më shumë ka pasur ngacmime apo mistrecllëqe se sa ftesa serioze.

Së dyti, LSI- ja ka qenë tepër korrekte në këtë koalicion dhe e ka treguar gjithmonë, siç ka qenë mjaft korrekte edhe me Partinë Demokratike në të kaluarën. Ajo që dua të nënvizoj është se LSI-ja ka qenë e qartë, që ajo do të shprehet për koalicionin pasi të përfundonte periudha e këtij mandati, së dyti, pasi të përfundonte edhe reforma zgjedhore, pra të përcaktoheshin rregullat e lojës, natyrisht ka qenë e hapur që të bëhej edhe një bilanc i qeverisjes në 4 vjet për të konfirmuar dhe për të rikonfirmuar një koalicion të ri, të cilin ajo asnjëherë nuk e ka përjashtuar.

Kjo nuk u bë për shkak të këtij bilanci, edhe pse keni qenë i hapur?

Për shkak të të gjitha këtyre zhvillimeve dhe askush nuk ka pse të justifikohet, pse nuk u bë koalicioni me këtë. LSI-ja nuk e ka një shqetësim të tillë.

Pra, ju nuk e keni refuzuar, nuk keni pasur kurrë një “jo”, ndaj një ftese…

Ju nuk e besoj se keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë “jo”.

Në ambiente informale midis jush apo zyrtarisht midis jush, pra jo publike, a ka pasur një refuzim tuajin nga…

As publikisht dhe as informalisht kjo gjë nuk është refuzuar, por ky nuk përbën asnjë lloj shqetësimi për ne, përkundrazi me marrëveshjen aktuale dhe me evitimin e koalicioneve LSI-ja është më e favorizuar.

Dakord, do të dalim përsëri te shifrat, por qëndrojmë te kjo…

Nuk është thjesht çështje shifrash, edhe shifrash, por edhe politikisht.

Ju keni deklaruar disa herë: “E vendosin strukturat, do të shikojmë, do të marrim kohë”, Rama thotë: “Këto janë teknikalitete, përdor teknika LSI-ja e të tjera”. Pra, realisht nuk ka pasur kurrë asnjë ftesë, asnjë bashkëbisedim për të ardhmen e koalicionit midis jush?

Unë mendoj se isha shumë i qartë. Nuk ka pasur asnjëherë asnjë ftesë serioze dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë refuzim nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Qëndrimi ka qenë i qartë, sigurisht që vendosin forumet, vendosim në kohën e duhur, pasi të mbarojë edhe reforma zgjedhore dhe të bëhet një bilanc i koalicionit.

Në një takim me banorët e zonës së Kasharit, Rama ka deklaruar sërish, po e citoj: “Nëse votoni opozitën puna në bashkinë e Tiranës, do të bllokohet”. Shprehimisht ka deklaruar: “Votoni Saliun, ju nuk i shikoni më shkollat, votoni Salin pastaj harroni lali Erin duke bërë punë, e keni vetëm për dasma, e keni vetëm për ngushëllime”. A do të ndërpriten investimet në bashkinë e Tiranës, nëse nuk fiton PS, siç thotë z. Rama?

Tani, unë nuk e kuptoj këtë: “ Nëse votoni Saliun”, sepse me sa di unë doktori nuk kandidon për Kryeministër, por si President i ardhshëm, pas 24 korrikut unë do të bëj çdo gjë që cilido të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, të vazhdojnë të ndërtohen shkollat në bashkinë e Tiranës, pasi unë mendoj se kryetari i bashkisë bën një punë me përkushtim për qytetin.

Edhe LSI-ja drejton disa nga bashkitë më të rëndësishme të vendit. Mund ta përdorni edhe ju si formulë në fushatë?

Cilën? Jo, absolutisht!

Unë mendoj se ky stil është shumë i vjetruar që të kërcënosh qytetarët se do të ndërpriten këto, nëse nuk u votua ky ose ai. Kjo nuk ka lidhje, aq më tepër që pushteti lokal me pushtetin qendror kanë dy raporte të ndryshme dhe nuk është mirë, nuk është etike që të kërcënohen votuesit apo të frikësohen se në rast se do të ndërrohet kjo qeveri nuk do të votojnë, sepse sipas kësaj i bie që të gjithë ata të cilët jetojnë në bashkitë që qeveris Partia Demokratike, patjetër në këto zgjedhje duhet të votojnë për Partinë Demokratike, sepse po të vazhdojë Edi Rama Kryeministër, do të ndëshkohen dhe nuk do të ketë shkolla, investime e të tjera. Kjo nuk më duket e logjikshme.

Sot që flasim, a është LSI-ja në koalicion me Partinë Socialiste, e kam fjalën në një koalicion funksional?

Unë mendoj se është funksional aq sa është brenda të gjithë parametrave të realitetit tonë, mendoj unë, por pyetja më e saktë mund t’i drejtohet zotit Vasili.

E kuptoj. E quani veten edhe në koalicion me Partinë Demokratike, sot që flasim?

Partia Demokratike është në këtë qeverinë “Rama” me ekspertë, me teknikë, pra nuk mund të themi se ajo ndan qëllime politike me këtë qeveri apo me këtë maxhorancë.

Pra, do të konsideronim se po bashkëqeverisni të gjithë bashkë në një koalicion të gjerë.

Mendoj se kjo është aktualisht një qeveri besimi për zgjedhjet.

Janë të shumtë zërat që flasin se pikërisht kjo marrëveshje historike midis Ramës dhe Bashës: për herë të parë ulen, shtrëngojnë duart, arrijnë të draftojnë një marrëveshje, është paralajmërimi i një koalicioni paszgjedhor me bazë të gjerë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ju çfarë mendoni?

Unë mendoj se kjo nuk do të habiste askënd dhe nuk ka arsye as për t’u habitur, as për t’u tronditur, ndoshta mund të jetë diçka pozitive, nëse ky është qëllimi, do të ishte akoma më mirë që kjo të shpallej dhe t’u jepej mundësia qytetarëve që të shpreheshin më parë për një koalicion të tillë. Shpesh kam vënë re se bëhet një paralelizëm i tillë me modelin gjerman, për të gjithë ata që nuk e dinë modelin gjerman, është një model kryesisht bipolar, midis të djathtës dhe të majtës: SCDU-së, CSU-së dhe SPD-së të cilat kanë disa partnerë të tjerë respektivë, në krahët e tyre, siç janë liberalët në krahun e CDU-së apo siç janë të gjelbërtit në krahun tjetër, të së majtës. Kur ata nuk arrijnë të bëjnë një qeveri politike të majtë apo të djathtë me ndonjë nga partnerët e tyre, për shkak të rezultateve, për shkak të pamundësisë për të qeverisur vendin, detyrohen të bëjnë një koalicion të madh. Në rastin tonë, ne në Shqipëri nuk kemi një politikë të tillë, praktikisht, por kemi politikë trepolare. Kemi PS, PD dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Kjo formulë pa koalicione e forcon trepolaritetin në vend. Një preferencë e tillë e dy partive vetëm se do ta forconte akoma më tej LSI-në si një faktor shumë të fuqishëm në të ardhmen.

Automatikisht në opozitë, apo jo?

LSI ka lindur si një divorc me një pushtet arrogant, duke u themeluar në opozitë, dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë në opozitë. Absolutisht, unë mendoj se do të ishte nder për LSI-në, që të bënte opozitën e ardhshme në rrethana të tilla; do të ishte një opozitë jashtëzakonisht e suksesshme, po të kemi parasysh edhe përjashtimin e shumë faktorëve të rinj, që është bërë aktualisht në jetën politike në mënyrë jodemokratike e transparente.

A mendoni se ka realisht shanse, duke e njohur shumë mirë z. Rama, e po kështu edhe z. Basha, ju i njihni mirë, sepse keni punuar me ta për një kohë të gjatë, pra a mendoni se plani është pikërisht ky, pra ky koalicion me bazë të gjerë?

Kjo gjë nuk më intereson, nuk më preokupon dhe nuk është në axhendën time. Në axhendën time deri më 25 qershor, si anëtar i LSI-së, por edhe si ish-kryetar i saj, sepse kam detyrimet e mia, pasi kryesisht, listat e deputetëve janë bërë nën drejtimin tim, kuptohet me forumet e LSI-së, që të kontribuoj për këtë objektiv mjaft ambicioz por edhe tepër realist që ka LSI për të qenë forcë e parë politike. Mendoj se të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së duhet të përqendrohen te ky objektiv. Më pas, më 26 qershor do të lexohet dhe do të respektohet vota e qytetarit shqiptar.

Do të doja të ndaloja në dy-tri pika, për të përfunduar gjithë kapitullin e kësaj marrëveshjeje midis Ramës e Bashës, marrëveshje e titulluar Big Mek, sipas Kryeministrit. Ju nuk e keni fshehur kurrë simpatinë për ish-Kryeministrin Berisha, për një kohë të gjatë keni deklaruar se e keni pikë të dobët, ndërsa javën e kaluar thatë se e keni edhe pikë të fortë. Ç’donit të thoshit me këtë?

Unë dhe doktori, që të dy, kemi një pikë të fortë: të dy e mbajmë fjalën. Sa për simpatinë, s’e kam fshehur. Jam kritikuar për këtë gjë, por nuk e fsheh dot.

 

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta për emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasilit në Neës 24 (Pjesa e parë)