
Një ngjarje e rëndë është raportuar këtë mesditë nga Korça. Mësohet se bëhet fjalë për një mësues në shkollën private ‘Omiros’ në qytetin juglindor i cili ka rezultuar me Covid 19 por lajmi prindërve të nxënësve u është dhënë një javë me vonesë.
Gazetarja, Ledjona Xheladinaj, njëherazi nënë e njërës prej nxënësve, doli me lot në sy në transmetim direkt dhe tha se sapo janë njoftuar ne grupin e prindërve që është hapur për këtë shkollë, që një nga mësuesit është konfirmuar pozitiv.
Ajo tha se ka folur me mesuesen kujdestare të vajzës së vet, që i kishte treguar se drejtoria e shkollës duhet të kishte informuar prindërit. Ndërkaq, e kontaktuar nga newsbomb.al gazetarja rrëfen se ende nuk i ka bërë analizat për vajzën e saj 8-vjeçare dhe as për vete por i kanë thënë të vetëizolohet. “Prej ditësh raportoj live çdo situatë por kurrë s’do e mendoja se një ndër të rrezikuarit do isha unë apo FËMIJA im! Një shqetësim që ka kapluar gjithë qenien time! TMERRËSISHT e pafalshme papërgjegjshmeria e shkollës ku fëmija im merr dije! Një njoftim i vonuar me sms pa kurrfarë përgjegjësie. Drejtoria detyron stafin të njoftojë pas 7 ditësh prindërit teksa nuk hapin telefonin për asnjë sqarim! Jam e shokuar”, shkruan ndërkaq gazetarja.