Mesazhi i plotë i Papës: E shohim Jezusin tek fëmijët që po...

Mesazhi i plotë i Papës: E shohim Jezusin tek fëmijët që po vuajnë

432
0

Nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Papa Francesku u drejtoi Mesazhin tradicional besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe gjithë atyre, që e ndoqën përmes radios e televizionit, duke dhënë edhe bekimin Urbi et Orbi. Ne mesazhin e tij Ati i Shenjtrë u ndal tek konflikti në Tokën e Shenjtë, duke u lutur për paqe dhe për zgjidhjen e konfliktit mes dy shteteve. “Le të lutemi për Jeruzalemin dhe Tokën e Shenjtë, sepse mbizotëron vullneti për të rifilluar dialogun dhe përfundimisht mund të arrijmë një zgjidhje të negociuar që lejon bashkëjetesën në paqe të dy shteteve brenda kufijve të pranuar ndërkombëtarisht”, tha Papa Françesku.  “Ne e shohim Jezusin – tha Papa – në fëmijët e Lindjes së Mesme, të cilët vazhdojnë të vuajnë nga përshkallëzimi i tensioneve midis izraelitëve dhe palestinezëve. Zoti gjithashtu mbështet përpjekjet e atyre në bashkësinë ndërkombëtare të cilët janë të motivuar nga vullneti i mirë për të ndihmuar tokën e torturuar, pavarësisht nga pengesat serioze, harmoninë, drejtësinë dhe sigurinë që ka pritur shumë”.

 

Mesazhi i plotë i Papa Françeskut

 

Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!

 

Në Betlehem, nga Virgjëra Mari, lindi Jezusi. Nuk lindi përmes vullnetit njerëzor, ishte dhuratë e dashurisë së Zotit Atë, që aq fort e deshi botën, sa të jepte një të vetmin Birin e vet, që kushdo beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 3,16).

 

Kjo ngjarje përtërihet sot në Kishën, shtegtare në botë: feja e popullit të krishterë rijeton, në liturgjinë e Krishtlindjes, misterin e Zotit që vjen, që merr natyrën tonë të vdekshme, që bëhet i vogël e i varfër për të na shpëtuar. E kjo na mbush me emocion, sepse tejet e madhe është dashuria e Atit tonë.

 

Të parët që e panë lavdinë e përvuajtur të Shëlbuesit, pas Marisë e Jozefit, ishin barinjtë e Betlehemit. E njohën shenjën që u dhanë engjëjt dhe e adhuruan Foshnjën. Këta njerëz të përvuajtur, por të pagjumë, janë shembull për besimtarët e çdo kohe që, përballë misterit të Jezusit, nuk shkandullohen nga varfëria e Tij, por, ashtu si Maria, besojnë në fjalën e Zotit dhe e kundrojnë me sy të thjeshtë lumninë e tij. Përballë misterit të Fjalës së mishëruar, të krishterët e çdo vendi shpallin, me fjalët e Shën Gjonit Ungjilltar: “E kundruam lavdinë e Tij, lavdi si e Birit të vetëm, që vjen nga Ati plot me hir e vërtetësi” (1,14).

 

Sot, ndërsa mbi botën fryjnë erëra lufte e një model zhvillimi tashmë i vjetëruar, vijon të prodhojë degradim njerëzor, shoqëror e ambiental, Krishtlindja na kujton shenjën e Fëmijës, për ta pranuar në fytyrat e fëmijëve, posaçërisht të atyre, për të cilët, ashtu si për Jezusin, “nuk ka vend në bujtinë” (Lk 2,7)

 

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Lindjes së Mesme, që vijojnë të vuajnë për shkak të thellimit të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Në këtë ditë feste i kërkojmë Zotit, në lutje, paqen për Jeruzalemin e për gjithë Tokën Shenjte. Lutemi që ndërmjet palëve të ketë epërsi vullneti për të rifilluar dialogun e të mund të arrihet, më në fund, në një marrëveshje që krijon kushtet për bashkëjetesë ndërmjet dy shteteve brenda kufijve të  konkorduara ndërmjet tyre e të njohura ndërkombëtarisht. Zoti i  mbështetët edhe ata që, në bashkësinë ndërkombëtare, frymëzohen nga vullneti i mirë për ta ndihmuar këtë tokë të martirizuar që të gjejë, pavarësisht nga pengesat e rënda, harmoninë, drejtësinë e sigurinë e pritur prej shumë kohe.

 

E shikojmë Jezusin në fytyrat e fëmijëve sirianë, të cilëve u duken akoma shenjat e luftës, që e gjakosi këto vite vendin. Uroj që në Siri të rikthehet, më në fund, respektimi i dinjitetit të çdo njeriu, përmes angazhimit të përbashkët për rindërtimin e indit shoqëror, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare.

 

E shikojmë Krishtin Fëmijë në Irakun, akoma të plagosur e të përçarë nga ndeshjet e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, e në  fëmijët e Jemenit, ku vijon konflikti i harruar nga një pjesë e mirë e botës, me pasoja të rënda humanitare mbi popullsinë, që vuan nga uria e nga përhapja e sëmundjeve.

 

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Afrikës, posaçërisht në ata që vuajnë në Sudanin Jugor, në Somali, në Burundi, në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën Qendrafrikane e në Nigeri.

 

E shikojmë Jezusin në fëmijët e mbarë botës, atje ku paqja e siguria kërcënohen nga rreziku i tensioneve dhe i konflikteve të reja. Lutemi që në gadishullin korean të kapërcehen kundërvëniet e të thellohet besimi reciprok në dobi të mbarë botës.

 

Krishtit Fëmijë ia besojmë Venezuelën, që të mund të rifillojë një ballafaqim i qetë ndërmjet anëtarëve të shoqërisë, në dobi të mbarë popullit të dashur venezuelan. E shikojmë Jezusin në fëmijët që, së bashku me familjet e tyre, pësojnë dhunën e konfliktit në Ukrainë, si dhe pasojat e tij të rënda humanitare e lutemi që Zoti t’i japë sa më parë paqen këtij vendi të dashur.

 

E shikojmë Krishtin Fëmijë në fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë punë e nuk arrijnë t’u sigurojnë bijve të tyre një ardhmëri të sigurt e të qetë.

 

E në ata, të cilëve iu rrëmbye fëmijëria, të detyruar, siç janë, të punojnë që në moshë të njomë, ose të  mobilizuar ushtarë nga mercenarë pa skrupuj.

 

E shikojmë Jezusin në një mori fëmijësh, të detyruar t’i lënë vendet e tyre, të shtegtojnë të vetëm, në kushte çnjerëzore, pre e lehtë e trafikantëve të qenieve njerëzore. Përmes syve të tyre shikojmë dramën e shumë emigrantëve të detyruar, që rrezikojnë deri jetën, për të përballuar udhëtime kapitëse, të cilat nganjëherë përfundojnë në tragjedi. E rishikoj Jezusin në fëmijët, që i takova gjatë shtegtimit tim të fundit në Mianmar e Bangladesh, e uroj që bashkësia ndërkombëtare të vijojë të përpiqet që dinjiteti i pakicave të pranishme në rajon të mbrohet me kujdesin e duhur. Jezusi e njeh mirë dhembjen e mosmikpritjes dhe raskapitjen e njeriut që nuk ka vend ku të mbështesë kokën. Zemra jonë të mos mbyllet, si u mbyllën shtëpitë e Betlehemit!

 

Të dashur vëllezër e motra,

 

Edhe ne na tregohet shenja e Krishtlindjes: “një fëmijë i mbështjellë në fasha…”(Lk 2,12). Ashtu si Virgjëra Mari e Shën Jozefi e si barinjtë e Betlehemit, në Krishtin fëmijë, ta pranojmë dashurinë e Zotit të mishëruar për ne e të angazhohemi, me hirin e Tij, ta bëjmë botën tonë më njerëzore, më të denjë për fëmijët e sotëm e të nesërm.