Mesazhi i Fatos Nanos pas zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të...

Mesazhi i Fatos Nanos pas zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit

241
0

Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka vlerësuar Gramoz Ruçin për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Përmes një mesazhi në faqen e tij në “Facebook”, Nano e cilëson Ruçin mikun e tij të vyer. “Urime miku im i vyer Gramoz Ruçi për postin e ri tepër me vlerë në sferën politike dhe jo vetëm!”, shkruan Nano në “Facebook”. Nano dhe Ruçi kanë ndarë mes tyre numrin 1 dhe numrin 2 në Partinë Socialiste, veçanërisht gjatë mandatit qeverisës të socialistëve 1997- 2005. Pas një distancimi disavjeçar, që lidhej me mosplotësimin e ambicies së tij për president të Republikës, Fatos Nano mori një ftesë si nga Edi Rama, ashtu dhe nga Gramoz Ruçi në kongresin e PS-së të vitit të kaluar, shkruan “Panorama”. “Faleminderit atij që dha gjithçka për rritjen, forcimin, përballimin e vështirësive të lindjes dhe rritjes, që bëri 4 vjet burg për të vetmin faj që kishte bërë se ishte kryetari ynë, të atij që edhe me aktin e fundit të dorëheqjes në 2005 dha leksionin e fundit të demokracisë. Faleminderit mikut të të gjithë socialistëve shqiptarë, Fatos Nanos. Ju drejtohem të gjithëve ju që drejtuat këto vite, PS është shtëpia juaj, ju thërret dhe ju kërkon ta falni edhe kur ka gabuar, përvoja juaj është jetike në çdo kohë për të përmbushur shpresat për një Shqipëri më të integruar në BE”, tha Ruçi në kongres. Ndërsa ish-lideri socialist, Fatos Nano, nuk e kurseu mesazhin e tij në 26-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste drejtuar si Edi Ramës, ashtu dhe Gramoz Ruçit. “Të dashur Edi e Gramoz! Uroj nëpërmjet jush gjithë socialistët anembanë Shqipërisë për 26-vjetorin e familjes sonë të patjetërsueshme! Jam i bindur se fitorja e PSSH në zgjedhjet e 25 qershorit do garantojë Rilindjen e pakthyeshme të Shqipërisë Europiane, pa deformimet e pseudoaleancave të deridjeshme! Ky është destini dhe destinacioni ynë i përbashkët, prandaj kam shumë besim se çdo shqiptar i arsyeshëm do të vendosë që në këtë udhëkryq historik, timonin e qeverisjes së këtij vendi ta besojë në duart tona!”, shkruante Nano në mesazhin e tij.