Presidenti kinez, Xi Jinping është takur në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, në kuadër të takimeve diplomatike para fillimit të samitit të grupit G20 që do të mbahet gjatë datave 7-8 korrik në Hamburg. Xi ka thënë në Berlin se ka nisur ” një fazë të re” e marrëdhënieve në mes të Kinës dhe Gjermanisë. Merkel ka thënë se do të dëshironte “hapjen e një tregu të përbashkët” me Kinën. Kancelarja po ashtu ka thënë se Gjermania mund të bashkëpunojë më Kinën në projektet rreth Afrikës dhe Afganistanit. Presidenti kinez, Xi, i cili ka arritur në Gjermani pas takimeve në Moskë, është përcjellur me nderime ushtarake nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, para fillimit të bisedimeve me kancelaren Merkel. Presidenti Xi dhe kancelarja Merkel do të jenë pjesë ë samitit të G20 që do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë. Të dy palët pritet të diskutojnë për një varg çështjesh së bashku me liderët botëror, duke përfshirë politikat mbi ndryshimet klimatike, tregun botëror, luftimin e terrorizmit, dhe zhvillimin e armëve bërthamore në Korenë e Veriut.