Merkato: Atanda zyrtarisht i larguar nga Partizani, e zëvendëson një…...

Merkato: Atanda zyrtarisht i larguar nga Partizani, e zëvendëson një… grek

380
0

Sodiq  Atanda zyrtarisht nuk është më lojtar i Partizanit. Të premten nigeriani ka zhvilluar përgatitjet e fundit me të kuqtë dhe më pas ka dorëzuar bazën materiale.  Atanda është kthyer fillimisht në Shqipëri për të tërhequr dokumentacionin te Partizani dhe për të nisur aventurën e re, që sipas gjasave do të jetë në Izrael. Për Partizanin, Atanda nuk është largim i papritur, pasi mbrojtësi kishte kohë që kishte dhënë sinjale “divorci”.

Ndaj, drejtuesit prej kohësh kanë nisur punën për gjetjen e zëvendësuesit dhe me gjasa do të jetë një qendërmbrojtës që e njeh Kategorinë Superiore. Burime pranë merkatos së “demave” bëjnë me dije  se zëvendësuesi i nigerianit do të vijë nga Luftëtari.  Dimitrios Koconis shikohet si një mundësi e mirë për Partizanin për të plotësuar qendrën e mbrojtjes. 30-vjeçari grek iu bashkua Luftëtarit në merkaton e janarit dhe në pjesën e dytë të sezonit bëri një paraqitje pozitive me gjirokastritët.

Para tri ditësh, mbrojtësi u shpreh për mediat greke se kishte dy oferta nga Kategoria Superiore në Shqipëri, ku specifikonte se janë ekipe të vendeve të para. Koconis ka të njëjtin menaxher me Tijan Jaiteh, i cili iu bashkua Partizanit në janar. Nëse të kuqtë e finalizojnë me sukses këtë tratativë merkatoje, i bie që skuadra të plotësohet në qendër të mbrojtjes dhe njëkohësisht fitojnë centimetra, pasi bëhet fjalë për një lojtar shtatlartë, 189 cm i gjatë. Në dy fazat e fundit me Luftëtarin, Koconis luajti 14 ndeshje në kampionat, ku shënoi edhe një gol në transfertën e Laçit.