Protesta e djeshme e opozitës ka marrë vëmendjen e pothuajse të gjitha mediave ndërkombëtare prestigjioze. Nuk ka munguar pasqyrimi i protestës edhe në mediat e vendit fqinj, Italisë. Gazetari italian, Giancarlo Padovan i ka kushtuar një shkrim në gazetën “Il Fatto Quotidiano”, protestës së opozitës së bashkuar, ku shkruan se mobilizimi i madh antiRama oër zgjedhje të parakohshme nuk flet vetëm për një mbështetje për Partinë Demokratike, por është edhe tregues i situatës ekonomike jo të mirë. Po kështu ai ka folur edhe për sondazhet, që siç shkruan, nxjerrin fituese PD dhe aleatët e saj.
SHKRIMI I PLOTË
Nga Giancarlo Padovan
Protesta e 9-të në 8 javë të Lëvizjes u mbajt nën shiun e rrëmbyeshëm dhe nën zhurmën e thirrjeve “Rama ka vjedhur paratë tona, Rama ka vjedhur votat tona”. Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike dhe i opozitës, para godinës së kryeministrisë, e fortifikuar me kangjella hekuri, u mëshoi zgjedhjeve të parakohshme, por më përpara kërkoi dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Opozita, që para dy muajsh la parlamentin, duke hequr dorë përfundimisht nga mandatet e deputetit, (të zgjedhurit janë zëvendësuar me të parët në listat pritëse), tani po kërkon që zgjedhjet administrative të 30 qershorit të dublohen edhe nga ato parlamentare. Akuza mbetet e njëjta: “Rama, në 2017-n i bleu votat me paratë e drogës e të korrupsionit, e derisa ai të mbetet në detyrën e kryeministrit, s’ka për të pasur asnjëherë zgjedhje të pastra”.
Kryeqyteti mbetet i tronditur e në pamje të parë s’duket se tronditja ka lidhje me protestën. Vjedhja brenda 90 sekondash tre ditë më herët në brendësi të Aeroportit Kombëtar “Nënë Tereza” në periferi të kryeqytetit ngjan të jetë shkaku. Opozita është e bindur se “thesi” prej 10 milionë eurosh që u vodh ka për t’u përdorur për të blerë vota e manipuluar zgjedhjet.
Nën një qiell të errët e të rëndë, protestuesit, pasi duartrokitën gjatë fjalët e Bashës tentuan të rrëzonin kangjellat e hekurit, të vendosura me urgjencë që në orët e para të ditës. Policët e pajisur me skafandra u kundërpërgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës. E menjëhershme buçiti thirrja: “Rama po hyn në histori si njeriu që qëlloi njerëzit e vet me gaz”.
Disi i hutuar, spikat mes turmës lideri i pamposhtur Sali Berisha, ndërsa disa protestues tentojnë të përqafojnë policët e rreshtuar përpara hyrjes kryesore të kryeministrisë.
Tashmë prej 30 vitesh, gjatë protestave popullore thirret “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa” (slogani u përsërit edhe dje), por Partia Demokratike e Bashës është e bindur më shumë se kurrë se do ta rrëzojë Ramën fillimisht në shesh, e më pas edhe në zgjedhje.
Sipas një sondazhi të IPR, një institut italian sondazhesh, Partia Demokratike dhe LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim) marrin 53 % të votave, përkundrejt 44 % të Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Pas shiut, ra nata, por nuk ra numri i protestuesve. Sipas organizatorëve, dje ishin në shesh 120 mijë njerëz, një rekord, po të marrim parasysh shpeshtësinë e protestave këto muaj. Ekzistonte droja e një rënie të numrit, pas 8 protestave të mëparshme dhe për shkak se thuajse gjysma e manifestuesve vinin nga qytete të tjera, edhe shumë larg kryeqytetit.
Mobilizimi i madh anti-Rama nuk flet vetëm për një mbështetje për Partinë Demokratike, por është edhe tregues i situatës ekonomike jo të mirë. Të rinjtë shqiptarë po emigrojnë drejt Gjermanisë me viza pune. Çdo ditë, para ambasadës gjermane ka radhë me qindra njerëz. Më të pafatët tentojnë edhe rrugë të tjera, si ato të azilit apo edhe të klandestinitetit, çka është më e rrezikshmja për jetën. Ka syresh që për të mbërritur në Britani të fshehur në një kamion janë të gatshëm të paguajnë edhe 10 mijë euro.