Aktualitet

“Më vodhën makinën 180 mijë euroshe, erdha për pushime”, shqiptari vjen nga Gjermania me qëllime të dyshimta. Policia zbardh skenarin, të përfshirë edhe…

By vizional

November 02, 2019

Me një skenar të denjë për ta vënë në jetë në sheshin e xhirimit, një shqiptar nga Kosova, me banim në Gjermani kishte ardhur në Vlorë për disa ditë pushime, për të zbatuar edhe një plan që e kishte thurur në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë.

 

 

Por bie në prangat e policisë së Vlorës, pasi iu zbulua mashtrimi. Policia bën me dije se në vijim të ngjarjes ku më datë 31.10.2019, shtetasi G.H, i cili ndodhej prej disa ditësh me pushime në Vlorë, kallëzoi se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, menjëherë filluan hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 

Mësohet se tre të rinjtë kishin inskenuar vjedhjen e një automjeti të shtrenjtë me qëllim shitjen e tij.

 

HETIMET

 

Nga hetimet e kryera, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve bënë zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku ka rezultuar se shtetasi G.H ka bërë kallëzim të rremë para organeve të policisë për arsye se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë dashur ta shesin automjetin në fjalë për qëllime përfitimi.

 

“Mercedes Benz S Class 63 AMG” i vitprodhimit 2019, shtetasi G.H., e kishte blerë në Gjermani me këste nga një kompani.

 

Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.

 

Në përfundim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit G.H., 29 vjeç, nga Kosova por me banim në Gjermani, si dhe u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, italiani M.C dhe tjetri nga Kosova F.H.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”.