Një dramë familjare që ashtu si miliona të tjera ka viktimë fëmijë. Kjo është historia e një familjeje shqiptare që është publikuar sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24. Shpëtim Çorollari ka mbërritur ditën e sotme në studion tonë për të rrëfyer momentet më të vështira të jetës së tij. Ai thotë se raportet me bashkëshorten i kishte shumë të mira, deri para disa muajve kur ajo hoqi dorë nga çdo lloj përgjegjësie.
Filluan debatet e konfliktet mes tyre, ajo nuk punonte më thotë Shpëtimi dhe qëndronte me orë të tëra në “Facebook”. Ai i kërkonte llogari ndërsa ajo shkoi dhe e denoncoi në polici madje ka kërkuar edhe urdhër mbrojtje. Shpëtimi e akuzon për tradhti dhe në datën 9 nëntor gruaja vendosi të largohej dhe mori me vete vetëm vajzën e vogël.
Para se të largohej ka lënë një letër mbi tavolinë ku i shpjegonte arsyet pse po e linte dhe premtonte që do të kthehej e do të merrte edhe 2 djemtë. Shpëtimi thotë se e ka dashur shumë të shoqen, por ajo që e shqetëson më shumë janë fëmijët të cilët po e përjetojnë shumë keq largimin e saj.
“Me Marjetën jemi njohur me dashuri si dy të rinj. Kam pasur shumë siguri ndaj saj. Kisha pesë vite që e njihja. Unë e mora iniciativën për t’i propozuar, por vjehrra ime nuk donte, sepse isha tip i hedhur në shoqëri. Kam qenë shumë i mirë. Vjehrra nuk më jepte asnjë shpjegim. Kur kisha ankesa në shtëpi, unë i thosha merre mamin dhe të shikojë. Ajo më thoshte: nuk ke asnjë problem me familjen time. Kundërshtonte. Kam kaluar me të gjithë mirë, përveç vjehrrës. Me nusen kam kaluar shumë mirë. Unë jetoj me qira, punonim të dy bashkë, dilnim të dy bashkë, pinim kafe bashkë. Kemi pasur marrëdhënie tepër të mrekullueshme me Marjetën. Gruaja ndryshoi kohët e fundit. Nuk vinte asnjëherë në orar të caktuar. Punën e mbaronte në orën 14:00, ajo vinte në 15:00. Kur vija në shtëpi pyesja fëmijët se ku është nëna e tyre, s’dinin gjë. E merrja në telefon dhe më thoshte: kam mbledhje, jam me ca shoqe. Vinte në shtëpi, s’donte t’ia dinte për asgjë. Rrinte shtrirë. Na la pas dorë. U ftoh raporti mes nesh. Filloi të konsumonte duhan. Mua më shqetësonte shumë. Ajo pinte shumë, dy paketa në ditë. Unë ia bëra dy pyetje: ku e ke hallin që na ke lënë pas dorë? Me djalin e madh kishte ambicie. I kërkonte llogari. Ka qenë më shumë kërkuese sesa unë”, tregoi Shpëtimi.
Ai zbuloi se kur nisën dyshimet e para për tradhti për bashkëshorten.
“Ishte ditëlindja e vajzës. Donim t’ia festonim. Nga dritarja e shikoj duke biseduar me dikë. Nuk doja të bija në sy të kalamajve dhe i thashë veçmas: kush është ai personi? Më tha: t’i më bie ne qafë! Një ditë tjetër e kap në ballkon duke komunikuar me dikë tjetër me shenja. E pyes sërish, më thotë: ti më bie në qafë. Personin nuk e njihja ishte errësirë. Nuk e kam akuzuar pa shkak. Pati debate mes nesh. Kurrë nuk e kam dhunuar, vetëm i kam thënë kujdes, se je nëna e tre fëmijëve. Ajo vetëm më thoshte do të çoj në polici”, tregoi më tej babai i tre fëmijëve.
Ai mohoi ta ketë dhunuar gruan dhe se kanë pasur vetëm debate, pas të cilave ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtje.
“Kurrë nuk e kam qëlluar. Debate kemi pasur. I kam kërkuar llogari më tepër. Urdhrin e mbrojtjes e ka kërkuar, sepse unë një ditë kam shkuar në shtëpi dhe e gjej rrëmujë. Ishte shtrirë në divan. Unë i them dua të më gatuash, të pastrosh shtëpinë. Më tha mos më çaj kokën. Unë jam ngritur vetë, kam gatuar për kalamajtë. Ajo mori kalamajtë dhe tha nuk kthehem më në shtëpi. Shkoj të vjehrra dhe marr fëmijët. I them, thuaj mamit të tyre vijë në shtëpi. Ajo shkoi në polici dhe më akuzoi për dhunë në familje. Këtë ma bënë padrejtësisht. Më larguan nga shtëpia 500 metra. Më ndaluan çdo kontakt me zonjën Marjetë. Në policinë e shtetit të Peshkopisë kam kërkuar që ajo të heqë dorë, se ishte marrëzi. Kur jam paraqitur në gjykatë, Marjeta nuk është paraqitur. U mbyll çështja. Kjo ngjarje ka 6 muaj. Për një moment kishim komunikim të pastër. Nuk e kam dhunuar kurrë! Te puna e kam toleruar shumë, dilte nëpër kafe”, u shpreh ai.
Shpëtimi tregoi edhe se si ishte larguar gruaja nga shtëpia duke marrë vajzën me vete.
“Në orën 5 të mëngjesit dola për të pirë kafe. Më pas jam rikthyer në shtëpi me djalin që takova në rrugë. Kishim për të paguar qiranë. I thashë të shkojmë te mami dhe të marrim lekë se merr rrogën dhe paguajmë qiranë. Djali më thotë mami ka marr vajzën e vogël dhe është nisur për punë. Kam shkuar te familja t’i pyes. Babi më tha e pashë duke ikur. I thashë moj nuse ku po shkon? Më tha kam pak punë. Gruaja ka kaluar nga Peshkopia në Dibër të madhe, më pas në Kaçanik të Kosovës. Policia nuk më ka dhënë asnjë informacion. Mua më thanë duhet të shkosh në Prishtinë të bësh denoncim. Unë thashë çfarë dua unë në Prishtinë. Ata thanë nuk jemi kompetentë për ta sjellë këtej. Unë kërkoj vetëm vajzën. Gruan nuk e pranojmë. Unë dyshoj se rrezikohet jeta e vajzës. Dua vetëm të më sjellë vajzën që ta shoh”, deklaroi Shpëtimi.