Më në fund një lajm i mirë, këto janë qytetet shqiptare që do të dalin më shpejt nga izolimi

Kryeministri, Edi Rama ka paralajmëruar se në zonat me risk të ulët të përhapjes së COVID-19 do të ketë masa të reja lehtësuese. Në fjalën e tij, z. Rama përmendi rastin e Gjirokastrës dhe Dibrës ku deri tani virusi është përhapur në nivele minimale. Nga ana tjetër në zona me risk të lartë përmendi Krujën, Tiranën dhe Durrësin.

 

Kryeministri tha se masat e reja që do të shpallen në javën e ardhshme nuk do të jenë të njëjta për të gjitha bashkitë e vendit duke nënvizuar se, në disa prej tyre do të ketë orar më të zgjatur për daljet për të bërë pazar si dhe për lëvizje në këmbë brenda bashkisë. “Prej javës së ardhme në bazë të hartës së epidemisë dhe propozimit të Ministres së Shëndetësisë do të pilotojnë në disa zona me risk të ulët një lehtësim më të madh të masave se sa në pjesën tjetër të vendit”, deklaroi kreu i qeverisë.

 

Masat e reja lehtësuese janë të ndikuara dhe nga ekonomia pasi prej disa javësh kemi bllokim të të gjithë aktivitetit në mbarë territorin e vendit. Kjo ka bërë që tashmë qeveria të ndryshojë dhe “taktikën” e luftimit të virusit. “Virusi nuk ikën meqë ne rrimë mbyllur. Kur ne rrimë mbyllur virusin nuk vret dot, por ai është aty pas derës tonë dhe sapo dalim jemi të ekspozuar nga mundësia që ai të na godasë. Deri kur të dalë vaksina, mblidheni mendjen se duhet të jemi të vëmendshëm dhe se nuk duhet të shkelim më nga shtëpitë e njëri-tjetrit pa u zhdukur ky armik. Por as nuk mund të mbyllemi dot pafundësisë pa gjeneruar më të ardhura për familjen kur kanë mbaruar kursimet dhe personat që mund të ndihmojnë, kjo është e papranueshme qoftë për një familje e qoftë për një shtet”, tha z. Rama.

 

Nga ana tjetër drejtuesi i qeverisë paralajmëroi se kushdo që do të hapë biznesin në shkelje me rregullat e protokollit të sigurisë do të ndëshkohet. Duke iu referuar ndryshimeve më të fundit në Kodin Penal, që u dekretua dhe nga Presidenti, Rama tha se tani shkelësit përveç gjobës përfundojnë dhe në burg. Për të ushtruar kontroll në territor pritet të ngrihet dhe një Task-Forcë.

 

“Sot një person jo vetëm gjobitet por vendoset dhe pas hekurave kur thyen masat dhe rrezikon jetën e njerëzve. Sot nuk shkohet më në punë vetëm për të hapur dyqanin dhe bëjnë lekë. Por dhe për të mbrojtur shëndetin e punonjësve dhe blerësve. Për shembull, një biznes fason nuk ia hedhin dot më me një gjobë dhe mbyllje aktiviteti për përhapje me ose pa dashje të epidemisë me pasojë vdekjen e njerëzve. Mos i hapni dyert apo qepenat pa marrë në portalin e urryer e-Albania. protokollin përkatës të sigurisë shëndetësore për llojin e bizneset tuaj”, u shpreh z. Rama.

 

Kreu i qeverisë tha se sot ka pasur një bisedë telefonike me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar mbi mundësinë e hapjes së kufirit për punonjësit sezonale dhe gjithashtu për strategjinë e testimeve për coronavirus.

 

“Diskutuam mbi rezultatet e deritanishme, strategjinë e testimit, lehtësimin e masave, planin e hapjes së sezonit dhe interesin reciprok për punësimin sezonal. E falënderova me gjithë zemër mikun grek për ata punonjës sezonal që mbetën matanë kufirit, por nuk u trajtuan si shkelës të afateve. Dakordësuam që të shohim problemin e lëvizjes së punonjësve sezonale sipas kalendarit të fazës së dytë dhe për nevojën reciproke që t’i çelet rrugë rreth mesit të muajit maj” tha Rama.

Author: vizional

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *