Më arrestoni mua, jo Saimir Tahirin!/ Nga Arian Galdini

Më arrestoni mua, jo Saimir Tahirin!/ Nga Arian Galdini

475
0

Monteskje na ka mësuar një nga parimet më themeltare të drejtësisë, para 300 vjetësh. Ai na ka thënë se që të bëjmë drejtësi: Duhet të dënojmë qytetarin e shpëtojmë njeriun. Nën këtë frymë, vendosa të hedh këto rreshta reflektimi i nxitur nga debati me i fundit që ka ndezur pa eshkë e pa zjarr, politikën dhe publikun shqiptar. Pse them pa eshkë e pa zjarr?  Sepse uji i tepërt politik në çdo çështje që shpaloset për sytë dhe veshët tanë, mban mbi vete vetëm barkat që digjen të kufomave vikinge, e asgjë tjetër. Këta na hedhin si ushqim për shqetësime e eglendisje publike vetëm çështje që i kanë vrarë më parë dhe i hedhin ne ujërat e politikës vetëm për ti përcjellë.  Zjarrin ua vënë për të magjepsur njerëzinë që kushedi në ç’trallisje zhytet ndërsa komenton gjuhët e flakës dhe shpejtësinë e djegies së barkês me gjithë kufomë. Më kujtohet kur dola në emisionin Opinion të Blendi Fevziut ku bëra edhe denoncimin për rastin e familjarit tim që vuante nga kanceri. Që prej asaj nate pa dëshirën e pa pritshmërinë time, nisa betejën më të vështirë të jetës sime. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga koruptopati Ilir Beqaj, lëshonte çdo ditë deklarata për shtyp kundër qytetarit Arian Galdini. Mafia e farmaceutikës më dërgonte po ashtu çdo ditë njerëz të armatosur për të më kërcënuar që të mbyllja gojën. Kanë qenë 3 muajt më të paimgjinueshëm të jetës sime. Ishte një betejë marrëzie e një qytetari të vetmuar që denonconte mizorinë e sistemit shëndetësor shqiptar dhe aparteidin e mafias së farmaceutikës, duke u përballur  me pushtetin e koruptuar, banditë dhe me vetë mafian e farmaceutikës. Po të bëni një kërkim të thjeshtë në google, do të gjeni edhe sot e kësaj dite, batërdinë e asaj beteje qytetare. Qytetarë të thjeshtë si unë, mbushnin blogje gazetash e portalesh duke më mallkuar mua e duke mbrojtur Ministrin Ilir Beqaj. Për Zotin, as që e kisha menduar ndonjëherë se do te ekzistonin qytetarë të tillë që mallkojnë e shajnë e gjuajnë me gjyle vreri e urrejtjeje mbi një qytetar si ata, ndërsa mbrojnë e lëvdojnë pa kushte një Ministër koruptopat.

Ja që kështu ka ndodhur.

Ne kemi të tillë qytetarë që ngazëllehen e shpërthejnë nga gëzimi kur arrestohet e ndëshkohet ndonje mjek e doktor, por që për të mbrojtur politikanët shkojnë e u qajnë e zvarriten tek pragu i shtëpisë. Kur dikush pa pushtet është nën akuzë, ne e bëjmë copë e thërrime.  Të nesërmen e 1 qershorit 2016, kur unë dola në Konferencë për Shtyp me Lulzim Bashën për të shpallur aleancën tonë, media të porositura shpikën një akuzë për mua duke më bërë trafikant kanabisi dhe të dënuar me burg. Interesante ishte sesi menjëherë dolën ky lloji i qytetarëve mallkues e sharës që nuk linin blog gazete e portali pa e quajtur për të mirëqenë sajesën e mediave të porositura e për të më quajtur mua drogaxhi e trafikant.

As pyetën fare për të vërtetën. Më shpallën fajtor.

A pata unë mbrojtje nga ndokush në rastet e mësipërme?

As edhe një grimë. Kam qenë krejt vetmitar si qytetar, si njeri dhe si politikan.

A më mbrojti mua PD dhe Lulzim Basha në ndonjë rast a ndonjë çast? Asfare.

Madje me shumë gjasa këta nuk më kanë dashur kurrë, pothuajse njëlloj a ca më shumë se ata të tjerët që sot janë në pushtet.

Unë qytetari i thjeshtë, aktivisti civil, politikani që kurrë nuk kam pasur asnjë pushtet a ofiq politik, shtetëror a partiak e kurrë nuk jam paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, e kurrë nuk jam paguar asnjë qindarkë nga asnjë politikan a parti, unë kam mbi shpinë qytetarë që më urrejnë, shajnë, mallkojnë e qëllojnë pa u lodhur me lëmshe mllefi.

Ndërkohë që politikanët me pushtete e parti të mëdha kanë turma me qytetarë që qajnë e përgjërohen për ta.

Politikanë me pushtete e parti të mëdha kanë turma me qytetarë që u hakërrehen gazetarëve që janë duke bërë punën e tyre, e brohorasin për mosndëshkimin e politikanit te tyre të dashur.

Politikanë me pushtete e parti të mëdha kanë kolegë e struktura e udhëheqës politikë që i mbrojnë.

Ne qytetarët e thjeshtë kemi asgjë.

Kur partia dyshon a vendos se politikani i saj nën akuzë është i persekutuar politik, ndaj edhe nuk duhet lejuar të arrestohet, ky quhet vendim i drejtë politik.

Anipse partiia është në pushtet, anipse politikani i akuzuar ka qenë 4 vitet e shkuara Ministër i Brendshëm e sot është deputet dhe Kryetar për Kryeqytetin i Partisë që ka hyrë në vitin e pestë të qeverisjes së vendit, kur partia e shpall këtë politikan si të persekutuar politik nga Opozita, ne duhet ta quajmë këtë si punë të mirë e të drejtë.

E nëse e marim për të mirëqenë vendimin dhe qëndrimin partisë në pushtet, se Kryetari i saj pêr Tiranën, po persekutohet padrejtësisht nga Opozita, atëherë duhet të kuptojmë e pranojmë se Gjykata nuk mund të jetë as arbitër e as bërëse drejtësie.

Jemi në kohën e partisë. Partia është mbi Gjykatën.

Partia nuk ka besim tek Gjykata.

Partia nuk e njeh Gjykatën as për arbitër as për bërëse drejtësie.

Kur Opozita persekuton politikanin e partisë në pushtet, nuk mund të lejojë partia   që këtë punë ta arbitrojë dhe zgjidhë gjykata. Kurrësesi.

 

Tek e fundit, në kohën e partisë nuk jemi të gjithë të barabartë para ligjit.

Partia është mbi të gjithë e mbi gjithçka.

Nëse neve qytetarëve të thjeshtë na vënë gjobë të padrejtë, na prishin shtëpinë a dyqanin, na arrestojnë apo ndëshkojnë policë, taksidarë, ndërtimorë, inspektorë a prokurorë, ne duhet të presim e shpresojmë tek Gjykata që të arbitrojë e bëjë drejtësi.

Ne nuk kemi parti që të na mbrojë. Ne kemi vetëm Gjykatën.

 

Lumsi Saimiri që ka partinë. Se po të kishte edhe Saimiri si unê e çdo qytetar i thjeshtë, vetêm Gjykatën, atëherë unë nën frymëzimin e Monteskje do të isha mbrojtêsi më i flaktë i njeriut Saimir Tahiri.

 

Prandaj i bëj thirrje partisë, prokurorisë, policisë e kujtdo që të më arrestojnë mua.

Unë nuk kam as parti e as udhëheqje që të më mbrojë. Kam vetëm Gjykatën.

Me mua e qytetarë të thjeshtë si unë e keni më të thjeshtë të na arrestoni e madje edhe të na dënoni.

Rroftë Reforma në Drejtësi.