DOSSIER

“Mbrojtja e Ulqinit”/ Si u varrosën 3000 trupat e vrarë!? Nga ndërtimi i qytetit e deri te hedhja në humnerë e eshtrave të tyreLexime

By vizional

October 04, 2021

 

Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj u trajtua pjesa e dytë e “Mbrojtjes së Ulqinit”

Banorët e qytetit të sulmuar, rrezikuar nga të tre anët po largoheshin nën tmerr, ndërsa mbrojtësit e qytetit me vdekjen i ndante ajo, qëndresa. Këtë herë ata e kishin shpërfillur vdekjen, duke e pritur gjakftohtë, por për atë që i priste kishin të bënin vetëm me historinë.

 

Ishte pak të quhej epike qëndresa dhe atë do ta bënin ata, vendasit, ajo gjeneratë që i caktoi koha. Në ajër netëve endeshin mbi ta si një parashikim hyjnor fjalët e Gjergj Kastriotit; “Ne luftojmë me të drejtë për të sprapsur dhunën e për të jetuar në paqe. Është turp të pranoni ndonjë fat, që s’është në dorën dhe shpatën tuaj, sepse edhe perënditë ndodhen zakonisht atje ku është e drejta. E kush tjetër, veçse i urryeri nga perënditë dhe nga njerëzit, mund të mohonte një luftë kaq të drejtë?”

 

Vjeshta e përgjakshme e vitit 1880

 

Por vjeshta 1880 erdhi shpejt dhe si u parashikua flota e stërmadhe mori rrugën me ndalesa Dubrovnik, Tivar dhe Mëbrriti para Ulqinit. Gjiri i vogël piktoresk nën diell, fare parajsor dukej se nuk ofronte asnjë lloj sfide, për të cilën ata po tregonin dhëmbët. Por nëpërmjet dylbive ata panë nga kodrinat e qytetit njerëz që zbrisnin në drejtim të bregdetit të vendosur dhe të armatosur aq modestisht në një mision vetvrasës përballë qindra grykave të zjarrit të artilerisë navale. Kurrë kaq shtete nuk ishin bërë bashkë për të mposhtur rezistencën e disa njerëzve të vendosur në një një gji aq të vogël, nga toka e nga deti! Secila palë po përpiqej të dominonte skenën groteske me vetëm atë numër dhjetë

r herë më të vogël mbrojtësish shqiptarë.

 

Garnizoni osman i Ulqinit

 

ish parashikuar, kish ikur nëpër natë me urdhër të Dervish Pashës, kështu qyteti ishte tashmë në duart e luftëtarëve të qëndresës.

Flotës atë mëngjës shtatori plot mjegull iu shfaqën si fantazmë një palë vela që afroheshin ngadalë në mënyrë fantazmagorike. Me siguri ndonjë anije mallrrash e panjoftuar kish hyrë në rrezen e qitjes së tyre, me kërcënimin e një gazele që i afrohet strofës së luanëve. Një fjollë tymi u pa me vështirësi të dilte prej saj, dhe predha ra fare afër fregatës. Tërë egërsi sirenat, zhurma e zinxhirëve të spirancave, uturima e motorëve u bënë një, ndërsa tymi i zi i motorëve gati e mbuloi mjegullën mëngjezore, që e tmerruar po davaritej. Me tërbim drejtuan grykat e zjarrit dhe filluan të godasin njëherësh duke ecur sa të mundnin drejt saj. Predhat godisnin direkt, dhe gjithçka të përfshirë në një tym tmerri, deri sa anija gjysmë e zhytur u ndodh nën peshën metalike të avulloreve. Tek grykderdhja e Bunës dy anije osmane po godisnin papushim me artileri shoqerueset e saj, që po ashtu i përpiu mjegulla.

“Ky ishte vendim tejet i padrejtë dhe mizor. Ulqini në çdo kohë e ruajti autonominë e vet, bile shtypte edhe monedhën e tij. Të gjithë udhëpërshkruesit e kohëve të shkuara shënojnë se atje flitej gjuha shqipe. Malazezët nuk ia dolën ta marrin atë dhe nuk kanë të drejtë mbi te.

 

Vetëm demonstrimi i detar i Fuqive i detyroi shqiptarët ta dorëzonin qytetin –

 

Ishte kjo ndër aktet kërcënuese më të shëmtuara të Fuqive deri në atë kohë” shkruan Edit Durham në librin “20 vjet ngatërresa ballkanike”. Më 1 tetor 1880 revista austro-hungareze “Mesazher dë Vien”, shkruante: Ky qytet i vogël do të bëhet pas pak teatër ngjarjesh të tilla, të cilat historia moderne deri sot nuk ka mundur t’i regjistrojë. Në rast se malazezët sulmojnë shqiptarët dhe munden prej tyre, atëherë komandantit të flotës ndërkombëtare, admiralit Sejmur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të bombardojë qytetin. Dhe tragjedia ndodhi.

 

Senatori i madh francez Desturnel dë Kosta

 

Ai tregon fare qartë këtë të vërtetë, si fakt tronditës parë nga ana e flotës tashmë; “Që nga dita e bombardimit të Ulqinit unë jam bërë një mik i madh i shqipëtarëve. Atë heroizëm që treguan ata fshatarë dhe qytetarë të pambrojtur, nuk do ta kisha besuar kurrë. Ishte shumë tronditëse të shihje se si këta njerëz trima, të armatosur me pushkë e pisqolla të vjetra sulmonin armiqtë e tyre, duke mos u trembur as nga topat e anijeve tona që i kositnin mbarë. Të bombarduar nga deti prej njëmbëdhjetë anijesh luftarake, të sulmuar nga juglindja prej turqve, nga veriu prej malazezëve. Ne ishim pothuaj dhjetë herë më të shumtë në numër e të mirarmatosur, por asnjeri prej tyre as u tërhoq, e as iku, deri sa vdekja i griu të gjithë. Kurrë unë nuk kam parë heroizëm të tillë! Dhe ç’krim kishin bërë? Nuk donin të pranonin copëtimin e atdheut të tyre.” shkruan në kujtimet e tij Eqrem bej Vlora. Pra Fuqitë me fuqinë e tyre nënshkruan aktin e fundit të turpit mbi trupin e një populli që me asgjë nuk e ndërronte lirinë.

 

Çfarë ndodhi në 23 nëntor të 1880!?

 

Me 23 nëntor 1880 natën vonë Dervish Pasha me ushtrinë turke hyri i pari në Ulqin. Po natë ai dërgoi korrierin e tij të kryekomandanti i forcave malazeze, Bozho Petroviç, që të dërgonte sa më parë përfaqësuesin e vet. Mes natës së 26 dhe 27 nëntorit osmanët i dorëzuan qytetin malazezëve. Po atë natë, Asım Pasha bëri me dije konsujt e Fuqive të Mëdha për dorëzimin e qytetit, tashmë i mbushur me kufoma të copëtuara luftëtarë qëndrese. Megjithë ndodhitë në qytet kqyrur nga vetë flota, për tu siguruar nga çdo e papritur, ajo u largua vetëm më 5 dhjetor 1880…