DOSSIER

“Mbrojtja e Ulqinit”/ Betejat e panjohura dhe të përgjakshme, si gjallon qyteti mbi eshtrat e të rënëve

By vizional

September 27, 2021

Në emisionin Autokton të gazetares Anila Ahmataj në “News 24”, këtë të diel u trajtua pjesa e parë e “Mbrojtja e Ulqinit”

Betejat e panjohura dhe të përgjakshme të mbrojtjes së Ulqinit, si gjallon qyteti mbi eshtrat e të rënëve.

 

Dikur, nga shekulli V para Krishtit, veç Liburnëve në krye të Adriatikut, shfaqet ndër disa brigje përrallore të këtij deti, befas një qytet lundërtarësh, luftëtarësh, piratësh, gezësh toke dhe deti, që arriti një famë të madhe ndër kohra. Fillimisht emrin Kolkin, ja vendosën Kolhët, themeluesit, por nuk mbetën prapa dhe romakët që e quajtën Olkiniumi sipas Tit Livit, e më tej, Dulkinam, Dylkinjo, osmanët Ylgyn e me radhë, por termi Ulkinion mbeti nga gjeografi i famshëm aleksandian Klod Ptolemeu. Ndikimit të tij i janë referuar që nga George fon Han, e deri tek Eqrem Çabej që e lidhin emrin e qytetit me atë të ujkut, (apo ulk) kafshës symprehtë, simbol i gjuetisë por dhe i ruajtjes së territorit.

 

Ulqini, një nga qytetet më të vjetra të Adriatikut që kish qënë nën sundimet e Balshajve, Venedikasve e shumë qytetërimeve antike.

 

Nuk kish si të mos bëhej pre e lakmive të kohëve moderne, të cilët kanë lënë padyshim gjurmët e tyre, si ato osmane, të fundit gjurmë që pas shumë shekujsh vunë në diskutim ekzistencën e vetë qytetit banuar autoktonisht nga Ilirë, Arbër dhe në këtë kohë totalisht nga Shqiptarë.

Kriza Lindore u quajt lufta ruso-osmane më 1877, jo për herë të parë, me shkak rebelimin e prijësve sllavë ndaj sundimit osman në Ballkan, dhe me një pasojë që askush nuk mundi ta parashikonte; Ekzistencës së vetë qytetit të lashtë. Të ndihmuar nga popujt sllavë të Ballkanit, armatat ruse depërtuan nëpër malet Ballkan dhe u gjendën papritur në dyert e Stambollit. Kjo bëri që ushtritë osmane të mos reagonin dot në kohë, dhe pas kaq shekuj lavdie ndër kontinente, kapitullimi osman u shfaq si një mallkim prej qiellit, dhe Perandoria Osmane duke u zvarritur në armëpushimin e Edërnesë dhjetor 1977, ndaloi me traktatin në Jeshilqë apo me emrin bizantin Shën Stefan mars 1878, bisedimet e të cilit u mbajtën tepër sekret.

 

Çfarë kish ndodhur në këtë marrveshjë të zymtë dhe të fshehtë për të mos u marrë vesh?

 

Perandoria kish humbur në kushtet me rusët pothuaj gjithë Ballkanin, duke ua dorëzuar sllavëve, të cilët që nga ky çast do të dilnin nga kjo perandori. “Me nënshkrimin e këtij traktatimë 3 mars 1878 Turqia humbi rreth 80% të zotërimeve të saj në Ballkan dhe Rusia kerkonte si dëmshpërblim lufte pjesën më të madhe të Dobruxhës, ishujt e Danubit, provincat e Karsit (Kaukaz), Ardahanit, Artvinit në Anadollin Lindor, si dhe një shumë prej 400 milionë rublash. Është e vërtetë që Europa e bëri një sy të verbër për luftën, por tani që cari kërkonte të vëndoste mbi fatin e tërë Lindjes, Anglia dërgoi flotën e saj luftarake të hidhte spirancën para Stambollit, ndërsa Austria mobilizoi ushtrinë dhe shpalli se ishte gati për luftë me Rusinë..” shkruan Robert Matran në librin “Historia e Perandorisë Osmane”. Shqiptarët kishin qënë brenda Perandorisë Osmane në kohëra për çudi më rebeluesit, por dhe më shërbyesit, që nga Epoka Skënderbejane, deri tek 39 kyeministra perandorakë, sa asnjë komb tjetër brenda saj. Tashmë shërbimit të tyre shekullor Perandoria i hodhi një perde të errët që ky popull besnik të mos shihte flirtet e saj me sllavët. Vetë shqiptarët për disa privilegje kishin ndërruar me osmanët vetë ekzistencën duke marrë prej tyre religionin dhe duke shkallmuar nga themeli gjuhën më të vjetër indoeuropiane, shqipen dhe tanimë që quhen osmanë, ku çdo llogari eurosllave do të bëhej si mbi Turqi.

 

Po si i gjeti shqiptarët?

 

Kjo ndodhi befasie i gjeti jo vetëm shqiptarët, por dhe shtetet europiane në gjumë, pasi prishja e kaq ekuilibrave kontinentalë në një kohë rekord, nuk kish ndodhur kurrë më parë. Të parët u zgjuan shqiptarët, të cilët e morën vesh me një muaj vonesë të vërtetën dhe kanceleria gjermane, ku kryeministri Bismark, duke moslejuar që Rusia të vinte dorë mbi Lindjen, dhe të zbuste sadopak goditjen që morën së pari Fuqitë e Mëdha, thirri me urgjencë Kongresin e Berlinit në qershor 1878. Përderi sa Perandoria u shfaq gati e kapitulluar, Ministri i jashtëm i saj Kara Teodor pasha, së bashku me një gjeneral berlinez i turkëzuar tashmë, u thirrën me statusin e të humburit, pa të drejtë të asnjë diskutimi, por vetëm të jepnin spjegime dhe detaje për popujt dhe vendet që do të ndaheshit tashmë prej saj.

Për këtë arsye, po në qershor të 1878 u krijua me urgjencë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizëm atdhetarësh elitarë që u duhej të shpëtonin territoret shqiptare me çdo kusht, por që shumë krerë të saj e shihnin shpëtimin tek mbështetja perandorake dhe sulltani vetë, hipnotizuar dhe fare jashtë çdo realiteti se kjo Perandori i kishte shuruar, e jo shitur tashmë. “Ashtu sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë ose grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar, më 13 qershor 1878, kryeministrit britanik, Lordit Bikonsfild, Benxhamin D’Israel, i vendosur për drejtësinë e çështjes shqiptare, nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e një shteti shqiptar të pavarur. Duke parë situatën, energjia e një të riu për të marrë në dorë situatën, të cilën shumë nuk donin ta besonin me idenë infantile të besnikërisë perandorake, që kish gërryer ngadalë mendjet e tyre për mbi 450 vjet, u shfaq shpejt dhe ai, Abdyl bej Frashëri u drejtua menjëherë për në Berlin;

“Abdyl prishe pasurinë një barrë flori,

hipe vaporrit e shkove drejt në Gjermani,

dhe Bismarku seç të pyeti:-Djalo nga vjen ti?

Unë vij nga Shqipëria, Abdyl Frashëri,

Mos e bëni copa-copa, sikur s’ka njeri..”

 

Ç’mund të thuhet për një komb të vogël brenda saj që kërkonte mbijetesë?!..

 

Por kur vetë Perandoria Osmane ishte thirrur pa të drejtë diskutimi.

Në hartën e shtruar në tryezën e kancelerive hidheshin e fshiheshin mijra mendime e mundësi ndarjeje të territoreve osmanë në Ballkan, të cilat në të vërtetë kishin një emër të njohur e të dëgjuar, Shqipëri, por që deri në atë çast nuk ekzistonte. Për të mos sjellë probleme trojeve shqiptare, megjithëse ushtria e Malit të Zi ndërhyri në to, me këshillën gjermane në prapaskenë Stambolli hedh mendimin se Malit të Zi i duhen dhënë disa territore në Bosnjë, por Austrohungarezët reagojnë menjëherë si zona të tyre. Edhe Mali i Zi nuk kërkon ta komplikojë situatën dhe nuk pranon. Lidhja Shqiptare e Prizërenit është aktive në këtë kohë duke dominuar në skenën politike dhe ushtarake të brendshme mbi të gjithë krerët proosmanë, strategji e qartë kombëtare, dhe kur Fuqitë e Mëdha aprovojnë lëshimin nga shqiptarët të territoreve Plavë- Guci, e vërteta se sa i kish respektuar Porta e Lartë shqiptarët u pa qartë. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë. Por shtabi ushtarak shqiptar përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë dhe 3 mijë vullnetarë, gjithsej 7 mijë veta. Komanda malazeze e komanduar nga Mark Milani,do të fillonte sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane.

 

Por Shtabi UshtarakShqiptar ua mori malazezëve nëmënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e Sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre pas shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Gjenerali berlinez, tashmë me emër osman, Mehmet Ai pashë Maxhari sjell batalionet e tij për të dorëzuar këto territore shqiptare Malit të Zi, por ushtria e Lidhjes e rrethoi në kullat e Abdullah pashë Drenit, deri sa e ekzekutoi, me një kosto prej afro 500 ushtarë të Lidhjes. Ky fakt tregonte fare qartë se për shqiptarët nuk kish kthim prapa, edhe përballë vdekjes., Menjëherë diplomacia e Kongresit u fut në një rrugë të re, sugjeruar këtë radhë nga ambasadori italian pranë Portë së Lartë Korti, i cili dha mendimin se meqënëse religioni islam është primar tek shqiptarët, të dorëzonin territore të krishterësh katolikë, ato të Hotit e Grudës.

 

Por e vërteta ishte se feja e shqiptarit ishte shqiptaria.

 

Ndjenja kombëtare ishte ajo që i bënte gati të flijoheshin për Shqipërisë, e cila ishte akoma vetëm emër. Vera e vitit të mbrapshtë 1880 nuk donte të ikte dhe lëviste ngadalë i kërrusur nën peshën e ngjarjeve më të kobshme që kish rezervuar për Shqipërinë. Në qoftë se në fillim të Kongresit ishte diskutuar për të mos u prekur Ulqini, ekuilibrat delikatë të interesave të Fuqive sihin thyer tashmë duke sjellë çdo orë plane e strategji të reja. D’Israel humbet në Britani me vetëm 4 vota dhe Lordi Gladston që mori qeverisje, jo vetëm që e flaku planin e tij për ruajtjen e territoreve shqiptare, por u fut egërsisht në luftë kundër çështjes së saj. Austrohungaria me përfaqësuesin Lipik, themeluesja e ardhshme e shtetit shqiptar, duke pasur portin e Tivarin nën zotërimin e saj sipas protokollit 29 të Kongresit, jep mendimin për dhënien e Ulqinit Malit të Zi, ndoshta me shpresë se banorët islamë nuk do të duronin gjatë këtë zgjedhë të re, dhe zotërimi i saj do të zbriste natyrshëm në të gjithë territorin shqiptar. Përfaqësuesi britanik Grin bashkohet me të dhe japin idenë e rënies së shpejtë të qytetit, ndihmuar nga një demostrim force i flotës së Fuqive të Mëdha përballë qytetit, duke e vendosur atë në një rast unikal historik, midis tre zjarresh. Siç edhe merrej me mend në krye të demostrimit naval do të ishte admirali britanik Sejmur. Fuqitë e Mëdha aprovojnë më gusht 1880, pasi siç shihej qartë në lojë ishte dhe dinjiteti i vetë fuqive, si dhe ngërçi dhjetramuajsh i diplomacisë së tyre dhe ja komunikojnë Portës së Lartë. Me një ndjenjë inferiore dhe aspak perandorake, Stambolli organizoi afro 30 batalione pajisur me artileri moderne me dy qendra koordinimi në Shkodër dhe Shkup, nën komandën e mareshalit të egër e antishqiptar Dervish Pasha, i cili udhëtoi me anije, për të evituar të papriturat.

 

Po Lidhja e Prizrenit si po organizonte qëndresën e qytetit mijravjeçar?

 

Ndihmesën dhe peshën e saj e kishte Shkodra, kështu që garnizoni ushtarak i Ulqinit mund të braktiste tashmë me qendrimin osman në këtë çështje të madhe. Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Ai dhe pas tij 1500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Ardhja e Dervish Pashës me terror e represion përçau krerët e Lidhjes së Shkodrës dhe po ky Hodo Sokol tashmë bën pjesë në shtabin e mareshalit antishqiptar. Ngjarja më e madhe e ditës, muajve dhe vitit ishte Ulqini.

 

Një numër i madh gazetarësh perëndimor pushtuan Shkodrën për lajme.

 

Si flota, si Dervish Pasha e ushtria malazeze ishin tashmë në një zonë të vdekur, ku nuk do të merrej vesh asgjë. Shqiptarët më egër po i luftonte Perandoria Osmane e cila me çdo kusht duhet ta merrnin qytetin, për tua dorëzuar malazezëve tërë përulësi, nën sytë e Fuqive të Mëdha. Pasi merr miratimin e Fuqive të Mëdha, ushtria e Malit të Zi lëviz drejt qytetit të Ulqinit, e organizuar në 22 batalione, por stacionohet në anën veriore. Lidhja, nga ana e saj, ngarkon degën e Shkodrës për organizimin e mbrojtjes së qytetit. Thirrjes i përgjigjen menjëherë shkodranët dhe niset komandanti i përgjithshëm i caktuar nga Lidhja për mbrojtjen e Ulqinit, Isuf Sokoli me qindra shkodranë të tjerë. Ata i bashkohen shqiptarëve mbrojtës ulqinas nën komandën e Mehmet Becit e Mehmet Gjylit.Të vendosur në disa vende ku rrezikohej hyrja e ushtrive osmane në nëntor 1880.

 

Beteja e Shkallëmushkës….

 

Mes Shkodrës dhe Ulqinit ishte më e rrepta, pasi vendi për tërheqje nën goditjet papushim të artilerisë osmane, bëhej gati i pamundur, duke lënë në fushën e luftës numrin më të madh të luftëtarëve.