Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve ka miratuar sot propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për projektligjin e “aministisë” në burgje.
Nga kjo nismë pritet të përfitojnë rreth 700 të dënuar, pasi nisma të miratohet në seancën e ardhshme parlamentare.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ministrja Etilda Gjonaj tha se pak kohë më parë se nga kjo amnisti pritet të përfitojnë rreth 50% e grave të dënuara dhe të miturve.
“Nga amnistia e këtij viti pritet të përfitojnë të gjithë ata meshkuj të dënuar me 2 vite burgim me vendi të formë së prerë deri në 30/9/2019, si dhe femrat dhe të miturit, të cilët janë dënuar me tre vite burgim. Risia e amnistisë të këtij viti është edhe fakti i të përfshirjes së të dënuarve me shërbim prove”, thuhet në pr/ligj.
Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që janë dënuar për dhunë në familje, krime seksuale apo korrupsion.
TE DENUARIT QE PERFITOJNE
Nga amnistia e këtij viti përfitojnë të dënuarit meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë edhe gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna me vendim gjyqësor të formës së prerë, deri më datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
E njëjta gjë vlen edhe për femrat e të miturit e dënuar, por për ata është menduar limiti i dënimit që amnistohet deri në 3 vjet. Gjithashtu, përfitojnë meshkujt, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, ndërsa për femrat e të miturit deri në 3 vjet. Për të dënuarat femra ka dhe një kriter tjetër favorizues, pasi amnistohen ato që me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
ATA QE NUK PERFITOJNE
Nuk do të përfitojnë nga amnisti të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata për dhunë në familje, për korrupsion, krime zgjedhore, krime të tjera të rënda etj. Gjithashtu, nuk përfitojnë të dënuarit apo ata që janë në proces për krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal.
Personat e dënuar apo në proces për krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/ a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83/a, 83/b e 84/a, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak. Ata që akuzohen për vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a e 99, të Kodit Penal, si dhe krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal.
Ashtu si në ligjin për amnistinë e vitit 2016, parashikohet të mos përfitojnë nga amnistia personat e akuzuar për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 124/b, në nenet 128/a, 128/b, 129 e 130/a, të Kodit Penal; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.
Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 30.09.2019. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e së njëjtës vepër penale.