Mësohet se 20 personat e arrestuar në Tiranë nga Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Hetimi Tatimor janë biznesmenë të njohur.
Këta shtetas ishin të përfshirë në krijimin e skemave të mashtrimit me TVSH-në, ndërsa aksioni vijon dhe në këto momente dhe priten arrestime të tjera pasi numri i personave të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme është më i lartë.
Vala e arrestimeve ka nisur me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa shumica e të arrestuarve janë biznesmenë në fushën e ndërtimit dhe i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik prej miliona lekësh duke mashtruar me faturat tatimore.
Prokuroria është vënë në lëvizje pas kallëzimit të bërë ndaj këtyre shtetasve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi dyshohet se gjatë periudhës 2017-2019 kanë krijuar kompani fiktive për tju shmangur detyrimeve. Pas analizës së kryer nga Hetimi Tatimor në muajin gusht kanë dalë në pah dhe mashtrimet e kryera nga këta shtetas me faturat tatimore.
Kanë qenë prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Valentin Preci ata që kanë lëshuar urdhër-arrestet për biznesmenët që ushtronin aktivitetin ne fushën e ndërtimit.
Në lidhje me këtë aksion të madh priten informacione të tjera nga institucionet zyrtare.