
Përmes një videomesazhi, kryeministri Rama tha se masat shtrënguese kanë ndihmuar në uljen e agresivitetit të dëmeve të shkaktuara nga koronavirus. Sipas tij, nëse nuk do të ishin marrë këto masa, sot do të numëroheshin mbi 100 të vdekur. Kryeministri paralajmëroi se nëse shifrat deri të dielën do të jenë të kënaqshme, do të fillojë lëshimi me pikatore i masave shtrënguese.
“Krahasojeni me katastrofën që mund të gjendeshim nëse s’do kishim marrë masat, jo vetëm do ishim duke numëruar mbi 100 të vdekur tani që flasim por do përjetonim tmerrin e mijëra të vdekurve deri në fund të luftës.
Kjo nuk do të thotë që katastrofa është shmangur përfundimisht e mos o zot të lëshoni veten tani kur lufta nuk ka shkuar ende në gjysmë, e di që s’është e lehtë të vazhdojmë kështu por nuk kemi asnjë rrugë tjetër.
S’dua të entuziasmoj askënd para kohe por dua t’ju informoj se po detajojmë për lehtësim gradual të masave që do hyjnë në zbatim menjëherë sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës. Nuk e dimë se kur, por dimë që deri në mes të prillit do mësojmë shumë mbi sa thellë është shtrirë ky armik i padukshëm mes nesh.
Po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që i kemi gati me ndihmën e zotit duke filluar me pikatore nga java e ardhshme, po qe se, numrat deri të dielën, do na lejojnë ta marrim në konsideratë pikatoren”, ishte mesazhi i kryeministrit Rama.