Marsela Çibukaj tregon si u nis me gomone drejt Italisë kur ishte...

Marsela Çibukaj tregon si u nis me gomone drejt Italisë kur ishte 8 vjeç

375
0

Edhe pse kanë kaluar thuajse 30 vite nga fillimi i eksodit të shqiptarëve nëpër botë, historitë e dhimbshme të emigrimit vazhdojnë të na prekin edhe sot, ku situata nuk duket fort e largët nga ajo e asaj kohe. Mes mijëra shqiptarëve që vendosën të lënë vendin drejt një të ardhmeje të panjohur, ishte edhe Marsela Çibukaj, e cila ndonëse ishte 8 vjeç mban mend sit sot udhëtimin e asaj nate drejt brigjeve të Italisë.

 

Këngëtarja e njohur ka rrëfyer për herë parë publikisht, për moderatorin Ardit Gjebrea historinë e saj. “Unë isha shumë e vogël, nuk i kisha mbushur ende 8 vjeç, mami dhe motra 2 vjeç dhe jemi nisur me gomone. Mbaj mend frikë, terror, trishtim, shumë pyetje për të ardhmën, çfarë do ndodhte më vonë. Natën dhe ishte hera e parë që unë shikoja detin natën i cili transformohej në një diçka të zezë, të errët, të frikshme e të pabesë. Ne kemi qenë dy vajza të vogla, të parat që hipnin në atë gomone. Ne rrezikuam, nuk e dinin se na prishte se çfarë do na ndodhte. Jemi nisur në orën 11 të darkës, u zhytëm në det derisa mbëritëm tek gomonia, na tërhoqën sipër disa djem. Në anën tjetër të detit na priste babi që ishte nisur më përpara me gomone.

 

Shumica niseshin në darkë me idenë që do niste udhëtimi mbarë. Në kanalin e Otrantos, kishim gjithmonë pengesa. Udhëtimi i parë dhe i dytë me gomone dështoi, por tek e treta eci mbarë. Ishte një udhëtim i heshtur, nuk flisnim dot se nuk mund të tërhiqnim vëmendje. Mami na shtrëngoi fort duart dhe na tha do shkojmë tek babi dhe nuk duhet të flasim dhe mbetëm të heshtura derisa mbërritëm në brigjet italiane. Kishim frikë për jetën dhe frikë për mos parë njerëzit që kishim lënë pas. Deti për shumë vite na ishte kthyer në një mankth, në një ëndërr shumë të keqe”, përfundoi ajo.