Aktualitet

Marrëveshja Shqipëri – Itali, mbërrijnë 16 migrantët e parë në Shëngjin

By vizional

October 16, 2024

Marrëveshja Shqipëri – Itali, e firmosur nëntorin e vitit të kaluar mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni ka nisur sot zbatimin. Anija italiane me 16 migrantë ka zbarkuar sot në portin e Shëngjinit, duke regjistruar grupin e parë të migrantëve. Në mesin e tyre janë 10 migrantë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët janë shpëtuar në det, pas nisjes nga Libia. Kjo marrëveshje e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë në nëntor të vitit të kaluar parashikon që për një periudhë pesëvjeçare, Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra. Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra më larg, objekt i dikurshëm i aeroportit ushtarak, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

Italia ka pranuar t’i strehojë migrantët që fitojnë azilin. Ata që nuk fitojnë azilin, do të dëbohen direkt nga Shqipëria.Policia e Shtetit: Kemi marrë të gjitha masa për sigurinë, po zbatohen procedurat e përshpejtuara kufitare

Policia e Shtetit, përmes një njoftimi për mediet, bëri të ditur sot se, emigrantët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë.“Në portin e Shëngjinit u ankorua anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë”, njoftoi Policia e Shtetit.Policia e Shtetit thekson se ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare.