Bota

Macron, letër Thaçit. Ja kushti që i vë para takimit në Paris me Merkelin dhe Borellin

By vizional

February 15, 2020

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, i ka shkruar letër kreut të shtetit, Hashim Thaçi, të cilin e ka uruar në emër të popullit francez.macron thaci

 

Macron në këtë letër gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, Josep Borell , të organizojë një Samit në Paris me qëllim të rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi.

 

 

 

Kreu i shtetit francez ka thënë se për të ndodhur një gjë e tillë, Kosova duhet të heq taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

 

Gjithashtu Macron ka thënë se Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.

 

Letra e plotë:

 

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, jam i lumtur t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.

 

Që prej vitit 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie mirëbesimi. Franca qëndron përkrah Kosovës për t’a ndihmuar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet ajo sot, veçanërisht në konsolidimin e shteti të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në kuadër të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor të cilin e kam miratuar pranverën e kaluar. Agjencia Franceze e Zhvillimit planifikon të fillojë punën në Kosovë këtë vit. Bashkëpunimi ynë dypalësh mbështet gjithashtu agjendën evropiane të reformës në vend.

 

Dëshiroj poashtu të përshëndes zhvillimin e qetë të zgjedhjeve legjislative të datës 6 tetor si dhe formimin, tash së voni, të qeverisë së re të Kosovës. Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të zbatuar reformat e nevojshme të brendshme dhe që vendosmërisht të angazhohet në kërkimin e arritjes së një marrëveshje me Serbinë.

 

Siç edhe e kam cekur më 12 nëntor të vitit të kaluar, gjatë Forumit të Paqes në Paris, ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe gatishmërinë time për të mirëpritur, në Paris, një samit që bashkon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josp Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut. Për këtë priten veprime nga të dy palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina; dhe pezullimi i fushatës për “ç’njohje” nga ana e Serbisë. Pasi rifillimit të dialogut, është radha e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Francës, të lehtësojë bisedimet midis dy palëve me synimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe të detyrueshme ligjërisht.

 

Duke përtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lus të pranoni, z.President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.