Aktualitet

“Luftë” në Radhimë të Vlorës: Policia shkëmben zjarr me një person, terrorizohen pushuesit

By vizional

July 19, 2018

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe një personi në fshatin turistik Radhimë në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:15 të ditës së sotme teksa efektivët e policisë kanë zhvilluar një operacion për arrestimin e personit, të identifikuar si Gaqo Gjini, 38-vjeç. Policia ka patur informacion se autori i shpallur më parë në kërkim jetonte në një banesë në Radhimë. Pas lokalizimit ai është rrethuar në banesë nga forcat e policisë, por ka qëlluar me armë në drejtim të tyre. Uniformat blu i janë kundërpërgjigjur me zjarr duke e plagosur. Turistë të shumtë janë tmerruar nga breshëria e plumbave dhe kanë nxituar të fshehen në ndërtesat përreth.

 

Njoftimi i Policisë:

 

Sot në Radhimë,  shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, në zbatim të një plani masash për kapjen e një personi në kërkim, ishin duke kryer operacion në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim G.Gj., 38 vjeç.

 

I kërkuari ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë.

 

Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë.

 

Shtetasi G.Gj. është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë dhe  është jashtë rrezikut për jetën.

 

38 vjeçari ishte shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale ”Plagosje e rëndë me dashje”, ”Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe ”Armëmbajtje pa leje”.

 

Vijon puna nën mbikqyrjen e Prokurorisë Vlorë dhe SHÇBA-së, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

Policia e Shtetit në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, po ushtron kontrolle të shumta në të gjitha zonat me risk për evidentimin dhe kapjen e personave me precedentë që janë aktualisht në territorin e vendit apo që mund të vijnë gjatë verës nga rradhët e emigrantëve.

 

Këto kontrolle janë shtrirë dhe po vijojnë me forca e shërbime shtesë të policisë kriminale dhe agjentë civilë, për të garantuar një ambjet të qetë dhe të sigurt në qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha e Shkodra.