Dogana dhe Agjencia e Veterinarisë kanë dyshime se një luan është futur kontrabandë në Kosovë
Është vend atraktiv i njohur për turistë. Kjo për shkak se në oborrin e këtij restoranti mbahen lloj-lloj kafshë të egra.
E para dy javësh, këtij vendi iu shtua edhe një luan, për të cilin nuk dihet ende se nga erdhi.
Në fshatin Stançiq, në Komunën e Gjilanit, ndodhet një luan që mbahet ne kafaz per atraksion turistik, mirëpo vizitimi i tij është i pamundshëm.
Punëtorët e këtij restoranti nuk lejuan që televizioni T7 të filmojë kafshën e egër, ndërsa ka dyshime se luani që qëndron këtu është futur kontrabandë.
Këto dyshime i ka ngritur Dogana e Kosovës.
“Sa i përket kësaj çështje dogana dje pas pranimit të informatës nga mediat ka inicuar rastin për hetime nga ana jonë si rast i dyshimtë për kontrabandën. Gjithashtu dogana do të bashkëpunoj me autoritetet relevante si agjensionin e veterinarisë dhe Policinë e Kosovë”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës.
Madje, dyshime kanë edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Po, posa kemi pranuar informatën ne si agjenci kemi dërguar inspektoret ne vend ngjarje. Eshte konstatuar se aty gjendet nje luan i cili nuk posedon dokumentacion përcjellës mbi origjinën dhe ne si autoritet kontrollojmë vetëm importet zyrtare, ato qe lajmërohen ne dogane. Ky nuk i eshte nënshtruar kontrollit kufitar. Jemi duke shqyrtuar te gjitha mundësitë qe per fatin e kafshës te vendosim ne baze te ligjeve ne fuqi”, ka thënë Lamir Thaçi, nga AVUK
Por, të kundërtën e kësaj e pohon menaxheri i këtoj restoranti.
Megjithëse ai nuk deshi të flasë para kamerës, tha se i ka të gjitha dokumentacionet e nevojshme që vërtetojnë se luanin e morën në mënyrë të ligjshme.
Ndërkohë, disa nga banorët e zonës kanë pasur fatin që ta shohin tashmë këtë kafshë që mbase më parë nuk është hasur në Kosovë.
Reagim për mbajtjen e luanit pati edhe nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.
Ata kërkuan nga institucionet shtetërore që ta largojnë luanin nga ai vend sa më shpejt që munden.