Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me gratë dhe vajzat e Vlorës, ku kandidatët për deputetë të qarkut Vlorë prezantuan programim e LSI-së. Të pranishëm në këtë takim ishin Zv.Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, kandidatët për deputetë Shezai Rrokaj, Enada Koçiraj dhe Flamur Çelaj. Në fjalën e saj para vajzave dhe grave vlonjate, znj. Kryemadhi theksoi se ulja e taksave do të formalizojë ekonominë dhe do të rrisë buxhetin, duke krijuar kushtet e duhura për të rritur edhe investimet. “Forca më e madhe qëndron te gratë. Gratë dhe rinia, kjo është forca që ka LSI-ja për të ecur përpara dhe kjo është forca që do t’ia japë fitoren LSI-së. Ne premtuam se do të ulim taksat, sepse duke ulur taksat ne do të formalizojmë ekonominë, duke formalizuar ekonominë do të rrisim buxhetin. Duke rritur buxhetin do të rrisim edhe investimet”, – tha Zv.Kryetarja e LSI-së, duke theksuar se fondet e shpenzuara për rilindjen urbane mund të ishin përdorur shumë mirë për hapjen e vendeve të reja të punës.
“Kemi dëgjuar për rilindjen urbane, ju e kane parë Lungomaren, sheshet apo rrugët, dhe rilindja urbane ka i kushtuar 500 milionë dollarë buxhetit të shtetit. Do të dëshiroja që me këto para të ishin hapur disa fabrika ku të ishin punësuar njerëzit”, – shtoi znj. Kryemadhi. Ndërkaq, Zv.Kryetarja e LSI-së u bëri thirrje grave dhe vajzave të Vlorës t’i japin votën LSI-së në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi të ecë përpara dhe shqiptarët të kenë mundësi për vende të reja pune të mirëpaguara dhe për shanse të barabarta. “Jepini shansin LSI-së, që LSI-ja t’ia japë shansin të gjithë të rinjve dhe të rejave, t’ia japë shansin Shqipërisë. Vetëm duke votuar LSI-në për të marrë një drejtim të ri qeverisja shqiptare ne do të kemi mundësinë për të ecur përpara, ne do të kemi mundësi të hapim vende pune të reja, për të krijuar vende pune të mirëpaguara, për t’u integruar dhe për të krijuar mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, – deklaroi znj. Monika Kryemadhi.