LONDËR – Fillojnë zgjedhjet legjislative nën masa të përforcuara sigurie

LONDËR – Fillojnë zgjedhjet legjislative nën masa të përforcuara sigurie

635
0

 

Qendrat e votimit u hapën sot në orën 06:00 GMT në të gjithë Britaninë e Madhe për zgjedhjet e parakohshme legjislative, tepër të rëndësishme për Brexit si edhe të organizuara nën masa të përforcuara sigurie, pas tre atentateve xhihadiste që nga fundi i marsit. Që nga zonat malore të Skocisë e deri në Londër, Birmingam, Mançester, Liverpul apo Glasgou, më shumë se 47 milionë britanikë do të votojnë deri në orën 21:00 GMT. Zgjedhjet e përgjithshme në Britani, që në afat normal do të duhej të zhvilloheshin në maj të vitit 2020, u caktuan për më 8 qershor pas vendimit të kryeministres Theresa May për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. May kishte theksuar se vendimi për zgjedhje të parakohshme është marrë për të siguruar “stabilitet dhe unitet” në negociatat për Brexit që zhvillohen me BE-në. Siç vërehet, liderët e partive politike po përpiqen të ndikojnë tek elektorati me deklarata mbi Brexit-in duke theksuar se në zgjedhje do të votohet “e ardhmja e Britanisë së Madhe”. Në mesin e partive kryesore që zënë vend në Dhomën e Ulët të Parlamentit të vendit, që përbëhet nga Anglia, Uellsi, Skocia dhe Irlanda e Veriut, janë Partia Konservatore e kryeministres May, Partia Laburiste e Jeremy Corbyn, Partia e Liberaldemokratëve e Tim Farron, Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e Paul Nutall dhe Partia Nacionaliste Skoceze e Nicola Sturgeon.