Llogari të fshehta bankare: Londra trondit pushtetarët e korruptuar shqiptarë! Bllokohen 100...

Llogari të fshehta bankare: Londra trondit pushtetarët e korruptuar shqiptarë! Bllokohen 100 milionë paund

1280
0

Londra ka nisur punën për të zbuluar paratë e fshehura aty nga pushtetarë të huaj të korruptuar. Mbretëria e Bashkuar po kthehet në një qendër për fshehjen e të ardhurave dhe për këtë arsye londinezët kanë shtuar lëvizjet që ta parandalojnë një fenomen të tillë. Gazeta ka raportuar disa herë sesi një politikan shumë i lartë shqiptar ka fshehur në Londër më shumë se 80 milionë paund, por tani Britania e Madhe është vënë mbrapa dhe po gjurmon llogaritë bankare me pasuri të paligjshme, të cilat janë krijuar nga njerëz të pushtetshëm jashtë saj.

Sipas mediave britanike, gjatë këtyre ditëve autoritetet e Anglisë kanë bllokuar 100 milionë sterlina, të cilat dyshohet se i përkasin një pushtetari të huaj i cili i ka vënë ato në mënyrë të paligjshme. Lajmi është bërë i ditur nga mediat londineze. ““National Crime Agency” ka marrë urdhër që të ngrijë tetë llogari bankare që përmbajnë më shumë se 100 milionë paund, të cilat dyshohet se janë vënë nga ryshfeti dhe korrupsioni në një komb jashtë shtetit. Urdhrat për ngrirjen e llogarive u morën nga gjykata në Westminster më 12 gusht dhe përfaqësojnë shumën më të madhe të parave të ngrira duke përdorur urdhrat, që kur ata u bënë pjesë e Ligjit të Financave Kriminale në 2017. Përmes urdhrave “National Crime Agency” do të hetojë më tej fondet e ngrira. Nëse nga hetimet konstatohet se këto shuma rrjedhin nga aktivitet i paligjshëm ose do të përdoren në rrugë të paligjshme, atëherë “NCA” do të kërkojë të sekuestrojë paratë”, raportojnë mediat e huaja. Në lajm nuk është specifikuar se cilin shtet përfaqëson pushtetari i cili e ka pësuar nga autoritetet londineze, por dihet që ai është nga një shtet i huaj. Kjo do të thotë se nga kjo ngjarje nuk përjashtohet as politikani i lartë shqiptar. Pra, zyrtari shumë i lartë shqiptar që ka fshehur më shumë se 80 milionë paund në Londër mund ta ketë pësuar nga autoritetet e Anglisë, duke iu ngrirë pasuria e paligjshme. Në fakt, Anglia është kthyer në qendrën e fshehjes së parave të pista edhe për emra të tjerë shqiptarë, por tani duket se të gjithë rrezikojnë të zbulohen sepse Londra është vënë në lëvizje për të nxjerrë në shesh llogaritë e fshehta bankare të tyre. Për t’ia arritur qëllimit Anglia nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë pak kohë më parë gjatë Samitit të Poznanit për të bashkëpunuar në luftën ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Rasti i Moldavisë: Në fillim të këtij viti ishte djali i ish-kryeministrit moldav ai i cili e pësoi nga autoritetet londineze, të cilat i konfiskuan një pasuri prej 400.000 paundësh. Ky rast është i përmendur në shkrimin e mediave angleze për të treguar vendosmërinë e tyre për ta luftuar këtë fenomen dhe për të ndëshkuar këdo pushtetar të huaj që ka fshehur paratë. Sipas të gjitha gjasave, çdo zyrtar shqiptar që ka llogari të fshehura në Angli rrezikon. Paralajmërimin e ka dhënë edhe një zyrtar anglez, i cili thotë se për t’ia dalë me sukses në këtë drejtim po përdoren edhe metoda të reja. “Përafërsisht 20 milionë paund u ngrinë në dhjetor të 2018. Në fillim të këtij viti, në një rast tjetër, “NCA” siguroi një urdhër konfiskimi të llogarisë me 400,000 paund që i përkisnin një shtetasi moldav. Një tjetër urdhër konfiskimi u dha për paratë e mbajtura në një llogari bankare që i përkiste mbesës së pushtetarit sirian, Bashar al-Asad. Ben Russell i NCA, i cili është nëndrejtor i Qendrës Kombëtare të Krimeve Ekonomike (NEÇ), tha: “NEÇ udhëheq përpjekjet për zbatimin e ligjit në Mbretërinë e Bashkuar për të trajtuar rastet e financave të paligjshme, duke bërë bashkë aftësitë e shumë agjencive kundër kërcënimit. Në vitin e kaluar, “NCA” ka përdorur metoda të reja si urdhrat për ngrirjen e llogarive të dyshimta, për të arritur më pas tek pasuritë e dyshuara të paligjshme. Ne tashmë jemi duke parë një ndikim shumë të gjerë të këtij aktiviteti””, thuhet në lajmin e mediave londineze.